Takimi Xi-Macron, publikohet deklarata e përbashkët kino-franceze mbi situatën e Lindjes së Mesme

Me ftesën e presidentit të Republikës Franceze Emmanuel Macron, presidenti i Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping po zhvillon një vizitë shtetërore në Francë nga 5 deri më 7 maj 2024.

Të dy krerët e shtetit patën një shkëmbim të thelluar pikëpamjesh mbi situatën në Lindjen e Mesme:

1. Si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Franca dhe Kina janë të përkushtuara për të kërkuar zgjidhje konstruktive të bazuara në ligjet ndërkombëtare, për të trajtuar sfidat dhe kërcënimet ndaj sigurisë e qëndrueshmërisë ndërkombëtare.
2. Të dy vendet dënojnë të gjitha shkeljet e ligjeve ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë të gjitha aktet e dhunës terroriste dhe sulmet pa dallim kundër civilëve. Të dy krerët e shtetit kundërshtojnë sulmin e Izraelit në Rafah, i cili do të çojë në një katastrofë humanitare në shkallë më të madhe, dhe kundërshtojnë gjithashtu zhvendosjen me forcë të civilëve palestinezë.
3. Të dy krerët e shtetit theksojnë se përparësia kryesore është arritja e menjëhershme e një armëpushimi të qëndrueshëm, sigurimi i ofrimit të ndihmës humanitare në shkallë të gjerë në Rripin e Gazës dhe mbrojtja e civilëve; lirimi i menjëhershëm dhe i pakushtëzuar i të gjitha pengjeve, sigurimi i ndihmës humanitare dhe trajtimi i nevojave mjekësore dhe nevojave të tjera humanitare të tyre, si edhe zbatimi i ligjit ndërkombëtar për të gjithë personat e ndaluar. Të dy krerët e shtetit bëjnë thirrje për zbatimin e menjëhershëm dhe efektiv të rezolutave përkatëse të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht rezolutave 2712, 2720 dhe 2728 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
4. Të dy krerët e shtetit kërkojnë hapjen efektive të të gjitha pikave të nevojshme të hyrjes dhe kalimit për të mundësuar shpërndarjen e shpejtë, të sigurt, të qëndrueshme e të papenguar të ndihmës humanitare në të gjithë Rripin e Gazës.
5. Të dy krerët e shtetit u bëjnë thirrje të gjitha palëve që të shmangin marrjen e masave të njëanshme që mund të përkeqësojnë tensionet në terren dhe dënojnë politikën e Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare Të dy krerët e shtetit ritheksojnë se qeverisja e ardhshme e Gazës nuk mund të shkëputet nga zgjidhja gjithëpërfshirëse politike e konfliktit palestinezo-izraelit të bazuar në “zgjidhjen me dy shtete”.
6. Të dy krerët e shtetit kërkojnë rifillimin e procesit politik në një mënyrë vendimtare e të pakthyeshme dhe zbatimin konkret të “zgjidhjes me dy shtete” për të siguruar që Izraeli dhe Palestina të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore dhe të sigurt si vende fqinje, me Jerusalemin si kryeqytet të përbashkët të tyre, duke krijuar një shtet të qëndrueshëm, të pavarur dhe sovran palestinez në bazë të kufijve të vitit 1967. Të dy krerët e shtetit rikonfirmuan angazhimin e tyre për këtë zgjidhje, e cila është mënyra e vetme për t’iu përgjigjur pritshmërive të ligjshme të popullit palestinez e popullit izraelit për paqe dhe siguri të qëndrueshme.
7.Dy krerët e shtetit shprehin shqetësim të thellë për rrezikun e përshkallëzimit të situatës rajonale dhe bënë thirrje për shmangien e trazirave rajonale. Franca dhe Kina po punojnë me partnerët e tyre për të shpërshkallëzuar situatën dhe u bëjnë thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje
8. Kina dhe Franca ritheksojnë angazhimin e tyre për të promovuar një zgjidhje politike dhe diplomatike të çështjes bërthamore iraniane. Marrëveshja Gjithëpërfshirëse Bërthamore e Iranit (JCP0A), e arritur në vitin 2015, është një rezultat i rëndësishëm i diplomacisë shumëpalëshe. Të dy vendet i kushtojnë vëmendje të madhe rrezikut të përshkallëzimit dhe ritheksojnë rëndësinë e bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe të nxitjes së përpjekjeve diplomatike, si edhe theksojnë angazhimin e tyre për ruajtjen e mospërhapjes së armëve bërthamore ndërkombëtare dhe promovimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme.
9. Të dy krerët e shtetit theksojnë rëndësinë e ruajtjes së lirisë së lundrimit në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit dhe bënë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj anijeve civile, për të ruajtur sigurinë detare dhe tregtinë globale, si edhe për të parandaluar tensionet rajonale e humanitare dhe rreziqet mjedisore.
10. Të dy krerët e shtetit kërkojnë që armëpushimi olimpik të respektohet gjatë Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Verore 2024. Armëpushimi Olimpik u bën thirrje të gjitha palëve që të ndërpresin veprimet armiqësore gjatë tërë periudhës së Lojërave Olimpike. Ndërsa konfliktet përhapen dhe tensionet rriten, armëpushimi është mundësi për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit, me respektimin e plotë të ligjeve ndërkombëtare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *