Sulmi me dron i së dielës në termocentralin e Ukrainës në Zaporizhzhia ka rritur rrezikun e një “incidenti të madh bërthamor”. Është ky paralajmërimi nga mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së.
Agjencia e mbikëqyrjes atomike e OKB-së dënoi sulmin me dron në një nga gjashtë reaktorët bërthamorë në centralin bërthamor të Zaporizhzhia të kontrolluar nga Rusia në Ukrainë, duke thënë se sulme të tilla “rrisin ndjeshëm rrezikun e një incidenti të madh bërthamor”.
Zyrtarët në uzinë thanë se “vendi u sulmua të dielën nga dronët ushtarakë ukrainas, duke përfshirë një goditje në kupolën e njësisë së gjashtë të energjisë të uzinës”. Ukraina mohon me forcë çdo përfshirje.
Kreu i IAEA Rafael Grossi tha se ky ishte sulmi i parë i tillë që nga nëntori 2022, kur ai përcaktoi pesë parime bazë për të shmangur rrezikun bërthamor me pasoja radiologjike.
“Kjo nuk mund të ndodhë,” shkroi Grossi në llogarinë e tij X të dielën, duke u bërë apel vendimmarrësve ushtarakë dhe duke u kërkuar atyre që të përmbahen nga çdo veprim që shkel parimet themelore që mbrojnë objektet bërthamore.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) konfirmoi se strukturat kryesore të kontrollit të reaktorit të Centralit Bërthamor të Zaporizhzhia (ZNPP) u goditën nga të paktën tre goditje direkte.
Sipas autoriteteve të uzinës, nuk pati dëme kritike apo viktima dhe nivelet e rrezatimit në termocentral ishin normale pas goditjeve. Më vonë të dielën, agjencia shtetërore ruse bërthamore Rosatom tha se tre persona u plagosën në “seri të paprecedentë të sulmeve me dron”.
Shërbimi i inteligjencës ukrainase tha se “Ukraina nuk është e përfshirë në asnjë provokim të armatosur në territorin e stacionit të pushtuar ilegalisht” dhe pretendoi se mund të ishte një sulm “i simuluar” nga pala ruse.
IAEA konfirmoi ndikimin fizik të sulmeve me dron në termocentral dhe theksoi se dëmtimi në objektin e kontrolluar nga Rusia “nuk ka kompromentuar sigurinë bërthamore”.
Centrali gjigand bërthamor i mbajtur nga Rusia, me gjashtë reaktorë, është në vijën e parë të konfliktit Rusi-Ukrainë.
/a.r