SPAK kërkon “arrest në shtëpi” për Berishën, ja çfarë deklaron ish-kryeministri

Arrest në shtëpi është masa e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme në gjykatë për kreun e PD-së, Sali Berisha. Tanimë i takon, GJKKO-së të shprehet nëse do e pranojë ose jo kërkesën e SPAK. Në rast miratimi, për vendimin njoftohet Policia, që është organi të cilit i ngarkohet zbatimi i verdiktit të gjykatës.

Të enjten, socialistët miratuan në Kuvend kërkesën e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj Berishës. Seanca u shënua me tensione brenda sallës së Kuvendit, ndërsa jashtë u zhvillua një protestë e thirrur nga opozita. Kryeparlamentarja Lindita Nikolla njoftoi prokurorinë për vendimin e marrë dhe më tej SPAK depozitoi në GJKKO kërkesën për masën e re ndaj kryedemokratit.

Vendimi u quajt antikushtetues nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili i qëndron arsyetimit se SPAK shkeli Kushtetutën me interpretimin e pikës 2 të nenit 73 të Kushtetutës që në procedurën e dhënies së masës së parë ndaj tij. SPAK nga ana tjetër mendon ndryshe, ndërkohë që për zgjidhjen e ngërçit një grup deputetësh iu drejtuan Gjykatës Kushtetues. Dhe kur pritej një interpretim nga Kushtetueseja për ti dhënë vënë ‘kapak’ debatit, gjykata vendosi të mos merrte në shqyrtim kërkesën e deputetëve të opozitës, me arsyetimin se ata nuk janë palë në konflikt. Vendimi i gjykatës u cilësua nga Berisha “colpo di gracia” për rendin kushtetues.

Ndërsa akuzat ndaj tij në procedimin penal për privatizimin e ish-kompleksin sportiv “Partizani” i quan politike dhe të urdhëruara nga kryeministri Edi Rama. SPAK nga ana tjetër e akuzon Berishën për korrupsion pasiv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com