Sistemi zgjedhor s’ndryshon? Gogu: Do zbatojmë rekomandimet e OSBE, për PS e rëndësishme vota e emigrantëve! Amnistia, javën tjetër

Deputet i PS Toni Gogu në “Studio Live” në Report TV ka folur mbi diskutimet për Reformën Zgjedhore e cila ende duket duket larg një produkti konkret apo konsensual mes palëve.

Në një intervistë me gazetarin Arbër Hitaj, deputeti i PS tha se socialistët e kanë gati draftin e tyre.

“Komisioni i reformës zgjedhore është i ngritur me një sërë detyrash që kishin të bënin me adresimin e rekomandimeve të OSBE. Uroj që materiali të jetë konsensual që të adresojë të gjithë rekomandimet e BE”.

I pyetur nëse do të ketë ndryshim sistemi, Gogu tha: “Për ne socialistët vota e emigrantëve është thelbësore, kemi pasur një ministri në shërbim të kësaj agjende dhe ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë për ta arritur këtë gjë. Kemi dhe një propozim nga PS se si do ta realizojmë këtë gjë. Unë besoj që tani u ngelet palëve ose në komisionin e posaçëm ose te ligjet ta kthejnë në një propozim konkret ligjor për ta miratuar në seancë plenare ”.

Një përgjigje pati dhe për akuzat e PD zyrtare se mazhoranca dhe rithemelimi po bashkëpunojnë për të vijuar patik e 2008.

“Si mundet PD të na akuzojë për një gjë që kanë qenë pjesë, ata kanë qenë aty e kanë votuar. Nuk ka lidhje as me shkelje syri e as me marrëveshje.”

Po bashkëpunoni me non gratën?

“Që të bashkëpunosh me non gratën do të thotë të bashkëpunosh për hallin e non gratës. Halli i Berishës është si ti shpëtojë drejtësisë… nuk e kuptoj ku është është bashkëpunimi me të. Ne bashkëpunojmë me deputetët për të shtyrë përpara agjendën e demokracisë”, tha Gogu.

Amnistia penale, do të votohet javës tjetër, dhe Gogu shprehet se pro saj  është  dhe opozita.

“Nesër nuk është në rendin e ditës. Besoj është për javën tjetër. Kam dëgjuar dhe krerët e opozitës që janë shprehur pro. Amnistia nuk bën asgjë tjetër por rikthen më përpara njerëz që për shkak të sjelljes së tyre i nxjerr nga institucionet ku vuajnë dënimin dhe i rikthen në shoqëri. Do ishte një nga punët e mira që ne mund të fillonim ta bënim së bashku me kolegët e opozitës.”

I pyetur nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, Gogu e mohoi ndërsa u shpreh se kjo është një fabul e copëzave të opozitës.

“Janë fabula të copëzave të opozitës që duan të frymëzojnë ndjekësit e tyre. Ne vazhdojmë me një shumicë të konsoliduar me një votë që na u dha në zgjedhje lokale përsëri shumë bujare. Njerëzit janë shumë të qartë, janë të paduruar për të thënë lëvizni. Ore duhet të ecim me ritmin e kërkesave të njerëzve. Në 2025 atëherë do takohemi në zgjedhje”./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *