Nga Aurora Mura
Prej mëse një viti e bullizuar në rrjete sociale, një grua e re 41 vjeç i dha fund jetës së saj në Sukth të Durrësit. Por kjo ngjarje e rëndë, e cila ka tronditur mbarë opinionin publik sot, e gjen Shqipërinë ende pa një ligj që dënon fyerjet dhe denigrimin në median sociale.
Ishte plot 9 vite më parë kur për herë të parë në Kuvend depozitohet nga ish-deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, një nismë ligjore që synonte të disiplinonte pikërisht këtë sjellje në median sociale.
Bëhej fjalë për një projektligj i cili do të bllokonte komentet fyese dhe denigruese në median online, ndërsa ngarkonte me përgjegjësi administratorët e tyre që të pengonin publikimin e çdo komenti “që cenon nderin, personalitetin, apo reputacionin e një personi”.
Projektligji nuk u kthye kurrë në ligj, pasi në atë kohë ngjalli mjaft kundërshti, të cilat vinin kryesisht nga portalet që i druheshin censurimit dhe penalizimeve të tjera.
Një tjetër nismë e ngjashme ishte ajo e 3 viteve më parë nga Qeveria me atë që u njoh si Paketa Antishpifje, edhe kjo me synim kontrollimin e medias online dhe dënimin e shpifjeve publike në to.
Mirëpo edhe ky projekligj mbeti në kalendat e Kuvendit, pasi u rrëzua me dekret të Presidentit pas zhurmës së madhe publike dhe mazhoranca qeverisëse u detyrua edhe njëherë të tërhiqej.
Arsyeja ishte pothuajse e njëjtë: mbrojtja e fjalës së lirë, – por në emër të saj u dëmtuan më të pambrojturit, si gruaja që mbeti viktimë për “të ruajtur” nderin e vjedhur.
Nëse ky ligj do të ekzistonte, videot dhe fotot e keqpërdodura të gruas, të cilat u zhdukën menjëherë pasi ajo vendosi t’i jepte fund jetës, do të mund të hiqeshin një vit më parë kur fillimisht bullizmi u denoncua prej saj.