Shuhet legjenda e Brazilit, i vetmi që ka fituar 4 herë Kupën e Botës në futboll

Legjenda e futbollit brazilian, Mario Zagallo, ka vdekur në moshën 92-vjeçare. Ai është i vetmi që ka arritur të fitojë 4 herë Kupën e Botës si lojtar apo trajner. Ai luajti me Brazilin në vitin 1958 dhe ishte pjesë e skuadrës edhe katër vite më pas kur amerikano latinët ruajtën titullin kampion bote.

Ai riktheu te triumfi Brazilin e tij në vitin 1970, këtë herë si trajner, duke pasur në ekip emra të mëdhenj si Jairzinho, Rivellino dhe Tostao. Ajo skuadër konsiderohet si më e mira e të gjitha kohërave. Po ashtu, ai ishte zëvendëstrajner kur Brazili fitoi Kupën e Katër të botës në vitin 1994 dhe ishte personi i parë në këtë sport që fitoi Kupën e Botës si lojtar dhe si trajner.

“Një baba i përkushtuar, një gjysh i dashur, mik besnik, profesionist fitimtar, dhe një njeri i madh. Një atdhetar që na ka lënë një trashëgimi të madhe. Kampioni i përjetshëm i botës”, me këto fjalë të mëdha familja i ka dhënë lamtumirën Zagallos në rrjetet sociale.

Ai lindi në vitin 1931 dhe ëndrra e parë e tij ishte të bëhej pilot, por iu desh ta braktiste për shkak të problemeve me shikimin. Ai vazhdoi të studionte kontabilitet dhe rastësisht u bë futbollist kur nisi të luajë me një ekip lokal gjatë kohës së lirë.

Në një intervistë vite më parë, Mario ka thënë: “Babai nuk donte që unë të bëhesha futbollist, nuk më lejonte. Atëherë nuk ishte një profesion që respektohej, shoqëria nuk e vlerësonte. Prandaj unë them që futbolli erdhi në jetën time rastësisht”, shprehej ai.

Ai ishte shumë supersticioz dhe besonte se numri 13 i solli fat. Zagallo u martua në datën 13, madje tha se do të tërhiqej nga futbolli në orën 13:00 më 13 korrik 2013.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com