Shpenzimet e familjeve shqiptare u rritën me 3 mijë e 800 lekë, vitin e shkuar, 40% shkoi për ushqime

Për t’u ushqyer, veshur, kujdesur për shëndetin, paguar telefonin apo shkollën për fëmijët, një familje shqiptare, vitin e shkuar, shpenzoi mesatarisht 88 mijë e 367 lekë. Në raport me vitin 2021, shpenzimet janë zgjeruar me rreth 3 mijë e 800 lekë apo 4.5 për qind.

“Rritja ka ardhur kryesisht si pasojë e presioneve të larta inflacioniste të cilat sollën rritje çmimesh veçanërisht vitin e shkuar”, thotë ekspertja për ekonominë Xhonsila Hoxha.

Sipas anketës së kryer nga Instituti i Statistikave, pjesa më e madhe e shpenzimeve mujore, gati 40 për qind kanë shkuar për ushqim dhe pije.

“Po kryesisht për bukë dhe bulmet. Edhe zarzavatet se duhen. Mishin e kemi rralluar. Kaq para kemi. Sa për të ngrënë”, thonë qytetarët.

Peshë të konsiderueshme për familjet shqiptare, vitin e shkuar, kanë pasur edhe shpenzimet për qiranë apo mobilimin e banesës, ndjekur nga drekat e darkat në restorante dhe transporti. Rreth 5 për qind e shpenzimeve mujore të familjeve rezulton të kenë shkuar për veshje dhe vetëm 3.5 për qind për arsimimin e fëmijëve.

“Kjo vjen si pasojë e dy arsyeve. Të ardhurat janë aq të ulëta sa shumica e tyre duhet të shkojë për ushqim dhe çmimet e këtyre të fundit janë rritur ndjeshëm”, shprehet ekspertja Hoxha.

Tirana është qarku ku familjet shpenzojnë më tepër, 104 mijë e 426 lekë në muaj. Në Korçë, Durrës, Fier dhe Shkodër, familjet shpenzojnë mesatarisht 83 mijë lekë në muaj. Ndërkohë në Kukës dhe Dibër familjet shpenzojnë jo më shumë se 73 mijë lekë në muaj. Kjo shifër është 30 për qind më e ulët se shpenzimet e familjeve në Tiranë.

“Çfarë vihet re është se Tirana ka përqindjen më të lartë të shpenzimeve krahasuar me qytetet e tjera kjo për faktin sepse jetesa në Tiranë është më e vrullshme, çmimet janë më të larta krahasuar me qytetet e tjera më të vogla, gjithashtu kërkesa për konsum është më e lartë,” vijon Hoxha.

Gjetjet e INSTAT tregojnë se vitin e shkuar në vend pati 785 mijë e 973 familje në vend nga mbi 765 mijë gjatë 2021-shit. Në total ato shpenzuan 67 miliardë lekë, vitin e shkuar, nga rreth 64.7 miliardë gjatë 2021-shit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com