SHIFRA E DITËS: 530 milionë euro nga xhepi i qytetarëve dalin tepër në arkën e shtetit, si do t’i shpenzojë qeveria?

Aranit Muraçi

Inflacioni dhe kriza e çmimeve që shkaktoi lufta në Ukrainë nxiti një krizë globale e cila u ndje më tepër në mbarë Europën. Rreth 60% e njerëzve me të ardhura të ulëta dhe të mesme nga vendet e varfra ose në zhvillim, ku futet edhe Shqipëria, u goditën më rëndë dhe janë ende në vështirësi ose në borxh. Vendet e varfra po e vuajnë edhe më shumë krizën sepse nuk kanë të njëjtin lloj kapaciteti huamarrës që kanë vendet më të pasura. Por edhe pse të pasura, njerëzit janë ngritur vazhdimisht dhe protestojnë kudo në Europë, pasi jetesa sa vjen dhe bëhet më e vështirë. Shqipëria, duke qenë në anën e errët të këtij spektri global mbetet në vështirësi të thellë, por mbi të gjitha krizën po e vuajnë qytetarët e saj me të ardhura të ulëta.

Vlerësimi i fundit i Bankës Botërore e vendos shkallën e varfërisë në Shqipëri në rreth 25% të popullsisë; megjithatë, ka vlerësime të tjera që kjo shkallë është mbi 40%. Për këta njerëz, rritja e mprehtë e çmimeve do të thotë një vuajtje dramatike dhe kërcënim për jetesën e tyre. Ndryshe nga krizat e tjera të mëparshme, kësaj radhe, rritja e çmimeve po ndikon në sigurinë ushqimore dhe për një familje me të ardhura mesatare që shpenzon gjysmën e të ardhurave të saj në “shportën e produkteve bazë të ushqimeve”.

Vitin e kaluar nga kriza energjitike, Gjermania uli tatimin mbi vlerën e shtuar për furnizimet me gaz nga 19% në 7%, ndërsa Franca uli taksat për energjinë elektrike dhe subvencionoi furnizuesit e energjisë, në përpjekjet e vendeve që udhëheqin BE-në, për të ndihmuar njerëzit dhe bizneset nga rritja e kostos së jetesës.
Kudo në Europë qeveritë për të mbrojtur fuqinë blerëse dhe konsumin kanë përdorur skema lehtësuese duke dhënë bonuse, për kategoritë më të prekura nga kriza.

Në vendin tonë duket se ka ndodhur dhe po ndodh e kundërta. Edhe këtë vit arka e shtetit rezulton me sufecit, me paratë që janë mbledhur nga të ardhurat e siguruara prej taksës së TVSH-së dhe akciza, kryesisht për çmimet e produkteve të importit si dhe taksa mbi pagat. E thënë ndryshe me paratë e mbledhura nga kriza. Vjelja e tyre do të thotë se paratë që duhet të ishin në xhepat e shqiptarëve janë në arkën e shtetit.

A do t’ju kthehen paratë qytetarëve dhe cila do të jetë forma?

Taksat paguhen njësoj nga të gjithë, ose të paktën duhet të paguhen, si nga të punësuarit në sektorin privat ashtu edhe në atë shtetëror. Ndërsa qeveria edhe pse nuk e ka në dorë t’i rrisë pagat njësoj, si sektorit privat ashtu edhe atij shtetëror, të paktën ajo duhet të kishte një studim mbi produktivitetin para se të merren vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me të ardhmen e njerëzve dhe të mbarë shoqërisë.

Pyetja e parë që shtrohet është se pse i duhet rritur paga dikujt në sektorin publik, pra, mbi ç’rregull tregu, nëse me të njëjtën pagë për atë vend pune shprehin interes të punësohen 100 të tjerë, brenda 24 orëve?

Dhe e dyta, si do t’i kthehen individëve jobuxhetorë paratë që u janë marrë nga taksat, “falë” krizës.

Çfarë do të bëjë qeveria me 530 milionë euro suficit, ose me paratë përtej planit, në buxhet, para që u mori nga xhepi i qytetarëve përmes taksave?

Si do ta shpenzojë suficitin qeveria, teksa duket se ka dy alternativa, të ulë borxhin ose të rrisë pagat e disa kategorive të sektorit publik? Dhe në të dyja rastet, cilido që të jetë vendimi, të humburit janë qytetarët që nuk përfitojnë nga pagat buxhetore. Në rastin e uljes së borxhit, veç mungesës së përgjegjësisë, që të shlyhet një i tillë (i marrë dhe i (sh) përdorur pa transparencë) me paratë e qytetarëve të varfër nuk është as etike dhe as morale?

Suficiti është thjesht teprica e të ardhurave të siguruara nga qeveria, kundrejt shpenzimeve të parashikuara në buxhet. Suficiti vjen edhe kur importojmë shumë dhe eksportojmë pak.
Në fund të 10 mujorit balanca buxhetore nga shifrat zyrtare shënoi 48 miliardë lekë ose rreth 460 milionë euro, niveli më i lartë historik.

Qeveria ka parashikuar nëpërmjet një akti normativ që, në fund të vitit, buxheti duhet të ketë një suficit rreth 530 milionë Euro.
Vitin e kaluar në këtë periudhë buxheti ishte me suficit me vetëm 96 milionë Euro.
Të dhënat nga tabelat fiskale të Ministrisë së Financave tregojnë se, suficiti apo teprica buxhetore është ndihmuar nga rritja e të ardhurave të siguruara përtej planit fillestar. Sipas të dhënave nga 55 miliardë lekë më shumë, që u mblodhën, 18 miliardë lekë ishin vetëm taksat mbi pagën.
Sakaq, buxheti publik mbetet deficitar, pasi nevojat për shpenzime publike janë më të mëdha se të ardhurat dhe në këtë mënyrë akumulohet edhe borxhi.
Përveç rritjes së pagave për sektorin publik një pjesë e kësaj shume pritet të shkojë për indeksimin dhe bonuset e pensionistëve. Por përveç rritjes së pagave kjo tepricë mund të përdoret edhe për shlyerjen e borxhit.

Pas konsultimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar borxhi në raport me PBB pritet të përmbyllet në nivelin 60 për qind këtë vit, nga 64 për qind që ishte në fund të 9 mujorit. Për këtë, qeveria duhet të shlyejë rreth 87 miliardë lekë nga borxhi, ose rreth 830 milionë Euro.
Vetëm shpenzimet për interesa parashikohen në vlerën 634 milionë Euro, ose 2.8% të PBB. Në tetor qeveria rishpërndau edhe 436 milionë Euro, që i kishte siguruar nga mosrealizimi i projekteve të ndryshme.

Si konkluzion, ka ardhur koha që për transparencë nuk duhet pritur ndërhyrja e SPAK, që pas punës së deritanishme, sipas sondazheve, është institucioni publik më i besueshëm sot për shqiptarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com