Sherri me princin, reagon Elia Zaharia: Të gjitha provat e dhunës janë në trupin e babait

Elia Zaharia ka reaguar për “Jetë Shqiptare” në RTSH lidhur me videon e publikuar mes saj dhe princ Lekës. Ende e tronditur nga ngjarja, Elia shprehet se “iu gris shpirt kur pa babanë e saj të dhunohej”, ndërsa shton se të gjitha provat e dhunës janë paraqitur në prokurori dhe çështja është nën hetim.

Elia ka shprehur keqardhjen për fjalët e dala në media se dhuna nisi për pronat, duke sqaruar se kjo nuk është e vërtetë dhe se po jeton me vajzën në Pallatin Mbretëror sipas Kodit të Familjes ku mendohet interesi më i lartë i fëmijës.

“Faleminderit shumë për kujdesin dhe diskrecionin që keni treguar gjatë kësaj furtune tronditëse për familjen time, por edhe për publikun të cilit ju servir kjo shfaqje e dhimbshme! Të jeni të bindur që më panë sytë babin të sulmohej dhunshëm dhe mu gris shpirti! Të gjitha provat e dhunës janë në trupin e tij e prokuroria e gjykata i disponon të gjitha! I them këto pasi është e rëndësishme që njerëzit që më mbështetën publikisht, duke marrë edhe koston e urrejtjes së partizanëve të palës tjetër, të dinë në thelb që po mbrojnë një njeri që “u hodh në fyt” në mbrojtje të prindit!

Asnjë çështje prone nuk ka në mes, çdo gjë është e përcaktuar! As uzurpim nuk ka, unë me vajzën jetojmë në shtëpinë familjare të cilën ai e braktisi, e kjo deri sa apartamenti që i dha vajzës të ndërtohet! E gjitha kjo sipas kodit të familjes ku mendohet interesi më i lartë i fëmijës! Babi kishte 10 ditë që kujdesej për mua e për vajzën, se kam qenë me temperaturë e nuk kujdesesha dot! Çfarë nuk më kanë dëgjuar veshët këto ditë! Unë nuk kam as parti as partizanë që të dalin të më mbrojnë, kam vetëm të vërtetën time! Për momentin e kam të pamundur të flas, pasi çështja është në gjykim! Ju falenderoj shumë!”, thuhet në reagimin e Elia Zaharias.

Pak ditë më parë një video qarkulloi në rrjet ku shfaqet përplasja mes Elias dhe princ Lekës, të cilin e akuzon për dhunë ndaj babait të saj. Të njëjtën akuzë hodhi Princ Leka ndaj ish vjehrrit dhe ish bashkëshortes, ndërsa gjykata u dha të dyve urdhër mbrojtje.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *