Rusia do nisë stërvitje bërthamore në kufi me Ukrainën, alarmohet BE, i kërkon Kinës të ndërhyjë

Vladimir Putin ka urdhëruar nisjen e stërvitjeve me armë bërthamore përgjatë kufirit me Ukrainën. Vendimi përshkallëzon tensionet me fuqitë bërthamore perëndimore, duke shtuar rrezikun e një konflikti me NATO-n.

Për këtë vendim reagoi me alarm Bashkimi Europian, që i bëri thirrje Rusisë të të ndalojë këto veprime që i quajti të papërgjegjshme. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen i kërkoi në takimin trepalësh në Paris, presidentit kinez Xi Jinping, i cili ka marrëdhënie miqësore me Putinin, të ndërhyjë për të ndalur kërcënimet ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se në stërvitje do të përfshihen armët jo-strategjike bërthamore, ato me rreze veprimi të shkurtër, por jo raketat ndërkontinentale që përbëjnë rrezik për goditjen e fuqive të mëdha bërthamore.

Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov tha se stërvitjet lidhen me kërcënimin e shtuar ndaj sigurisë së Rusisë, pas deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron dhe ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, përsëriti javën e kaluar se ai nuk përjashton dërgimin e trupave në Ukrainë dhe Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar David Cameron tha se forcat e Kievit do të jenë në gjendje të përdorin armët britanike me rreze të gjatë për të goditur objektivat brenda Rusisë.

Kremlini i cilësoi ato komente si të rrezikshme, duke rritur tensionin midis Rusisë dhe NATO-s. Lufta ka vendosur tashmë një tendosje të konsiderueshme në marrëdhëniet midis Moskës dhe Perëndimit.

Që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Moska ka kërcënuar vazhdimisht se mund të përdorë armët e saj bërthamore kundër kundërshtarëve të saj, gjë që do të ishte e para në botë që nga bombardimi i SHBA-së në Hiroshima dhe Nagasaki në gusht 1945.

Megjithatë, Putin ka deklaruar se armët bërthamore do i përdorë vetëm për mbrojtje./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *