Rriti katër fëmijët e burrit, por e braktisën pasi u martuan, e moshuara: Dua të vdes por s’më merr zoti!

Nënë Nazja rriti 4 fëmijët e bashkëshortit, të cilët sot e kanë braktisur. Jeton në mjerim, në fshatin e largët Muçan të Elbasanit.

E gjejmë të vetme në një ditë me shi e stuhi, ku gjithçka bie jashtë futet në këtë shtëpi të rrënuar, pa drita e pa asnjë orendi.
Qëndron në ballkon nga frika se trarët mund ta zënë poshtë. Nuk ka ngrënë ushqim prej dy ditësh.

Me sytë në lot, Naze Jaupi, 85 vjeç rrëfen jetën e mundimshme. Burri i parë i vdiq pasi e goditi rrufeja. E la në moshë të re dhe pa fëmijë. Familja e martoi në fshatin Muçan, me një burrë që kishte 4 fëmijë jetimë. I ka rritur 4 fëmijët e burrit si të ishin të sajët.

Tre vajza dhe një djalë, që kanë krijuar familjet e tyre dhe kanë braktisur njerkën, duke e lënë në kushtet ekstreme të mbijetesës.

“I rrita 4 kalamaj, i martova. Unë jam nënë heroinë. Mora dhe nusen e djalit, por ajo s’më donte. Më tha se s’mund të bëj hyzmet. Bashkëshorti me djalin e nusen jetojnë në shtëpi të re, mua më kanë lënë këtu. 20 vite që jetoj këtu. Por pleqëria bën të veten. Tani s’kam fuqi për asgjë. Jam më shumë pa bukë se me bukë. Kam dy ditë pa ngrënë” – u shpreh 85-vjeçarja për Report Tv.

Janë fqinjët që e mbajnë gjallë, duke i dhënë ndonjë copë bukë, ndërsa familjarët nuk kujtohen për 85 vjeçaren.

“Kjo nusja e fshatit më sjell për të ngrënë, më ka thënë veç për bukë mos të vdesësh. Por unë gjithmonë them me vete, pse s’më vrau mua rrufeja. Dua të vdes por s’më merr zoti!”.

Naze Jaupin përpos familjareve e kanë braktisur dhe institucionet. Ajo ka shkuar në njësinë administrative Tregan, pjesë e bashkisë Elbasan ku ka kërkuar azil, por zyrtarët nuk e kanë marrë parasysh kërkesën e saj.

“Dua të iki nga ky vend sa më parë, ju lutem më nxirrni nga kjo shpellë. Po më ndihmuat marrshi nga ditët e mia”, lutet 85-vjeçarja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *