Nga Rajmonda Belli Gjençaj
Një lexues, kur lexon, lexon veten. (Marcel Proust). Romani “Nata” e konfirmon këtë thënie të shkrimtarit francez, sepse në të shtrihet rrëfimi i një historie njerëzore, në të cilën gjithkush mund të gjejë fragmente që i përkasin atij, ndërkohë që ndien shtysën e reflektimit si nevojë për të kuptuar gjarpërimin e jetës së vet në imazhin e jetëve të protagonistëve të librit.
Ngjarja zhvillohet, me strumbullar një familje të zbritur nga bjeshkët dhe të vendosur në rrethinat e kryeqytetit. Një si mijëra të tjera, që, mes sakrificash dhe mundimesh, shpresojnë të ndërtojnë një jetë ndryshe për fëmijët. Te fjala ndryshe ne e dimë që strehohet një ëndërr e madhe. Rrugë me asfalt, një shkollim i mirë, një punë e sigurt, mirëqenie, që sendërgjohen në ndërgjegjen njerëzore si finalja e madhe e një vrapimi të lodhshëm, për të cilin, ka vlejtur barra qiranë.
Në këtë këndvështrim edhe familja e Afrim Malajt, ushqen ëndrrën e vet, por shohim një kryefamiljar që vuan mes dilemash nëse ka bërë zgjedhjen e duhur, nëse duhet të rrijë apo të ikë. Kjo dramë e këtij njeriu, që përcjell në fakt frikën e kuptueshme të kujtdo, që përballet me një realitet të ri, të ashpër, është dhe sfondi ku merr udhë zhvillimi i romanit. Sepse kontrastet e fuqishme që gjallojnë në një shoqëri, nuk janë gjë tjetër veçse konflikti i brezave që zë fill në çdo familje. As Malajt nuk mund t’i shpëtojnë kësaj të vërtete. E vërteta tjetër ka të bëjë me faktin se ai është babai i katër vajzave dhe një djali.
Në një mjedis me qasje të reja, shpesh të keqkuptuara, jo vetëm nga kryefamiljari, prania e vajzave e bën më të mprehtë përballjen, që në realitet është një konfrontim botëkuptimesh të ndryshme. Çdo përballje, është një përplasje dhe çdo përplasje ka viktimat e saj. E “keqja” tjetër, gati, gati si mallkim, që peshon te Malajt është bukuria e vajzave. Xhoana, Romina, Marjana. Kejsi është shumë e vogël, ndaj dhe e përjashtuar prej “mëkatit të bukurisë”. Ngjan absurde, por jo gjithmonë bukuria është aleate e fatit të mirë. Sidomos në një shoqëri maskiliste dhe të përmbytur prej injorancës.
Në një shoqëri ku paraja shihet si i vetmi mjet për të bërë përpara, një femër e bukur, është gjithmonë një preh i lehtë për ata qe kanë ndërtuar tregun e shitblerjes së tyre. Për të qenë të drejtë dhe jo paragjykues, rrugëtoni në jetën e dikujt që ka nisur të brumosë ëndrrat për të ardhmen. Çdo lexues e ka të lehtë ta bëjë këtë. Mjaft t’i rikthehet rrugëtimit të vet. Duke e bërë këtë, personazhet kryesore të librit na vijnë natyrshëm. Me vlerat morale, që nuk i humbin plotësisht, edhe kur rrethanat i kanë kundër. Ata rriten para syve të lexuesit, me fitoret e vogla të çdo dite, në betejat e tyre. Këtë mund ta themi si fillim për Xhoanën, që është fëmija i parë në familjen Malaj, pra motra e madhe. Që shpesh duket sikur merr atributet e një vëllai të madh, që ndien përgjegjësinë për motrat më të vogla.
Shkrimtari i ka dhënë një vend qendror këtij personazhi, deri në mbyllje të librit. Energjike, inteligjente, e guximshme dhe e vetëdijshme për qëllimet që kërkon të arrijë në jetë. Një lexues i vëmendshëm e nuhat se po të kishte pasur fatin të lindte në një familje, ku lufta nuk bëhet për bukën e gojës, ajo vajzë do të kishte arritur majat. Por Xhoana është e bija e Afrim Malajt, një individ i thjeshtë, në perimetrin e shqetësimeve të të cilit, pulsojnë sigurimi i bukës për familjen, fati i pritshëm i vajzave të tij, që nuk po martohen, dhe pika qëndrore, nderi i tyre. Dhe si një tallje për të gjithë progresin, që përshkon një shoqëri, nderi i femrës, është ende leva e Arkimedit, ku ndërthuren pranimi me refuzimin.
Në një shoqëri që vlon nga paragjykimet dhe nga zakoni për t’u marrë me të tjerët, ndërthurja është tragjike sepse bëhet fjalë për vdekjen kundër jetës. Për fatin e mirë, (e keqja nuk ka fund), ky tragjizëm nuk i përfshin të tria vajzat e mëdha të Afrimit. Por mjafton vetëm njëra për të goditur jetën e të gjithëve në familje. Ne jemi të ndërgjegjshëm se asnjë nuk e meriton një përpëlitje të tillë dhe në këtë kuptim, ky subjekt del përtej faqeve të një libri të vetëm.
Autori përmes ngjarjeve tenton të tërheqë vëmendjen jo vetëm të një individi. Përvoja e gjatë, realiteti ku jetojmë, i ka dhënë shkrimtarit Preç Zogaj, tharmin e duhur për të ndërtuar një histori, që e ndjemë sa fiction aq edhe reale. Si diçka të lexuar në kroniken e zezë, që fatkeqësisht, është bërë si kronika e rutinës sonë të përditshme. Sepse një ngjarje tronditëse nuk godet vetëm në ditën e gjëmës. Jehona e saj vazhdon të zhurmojë, me të njëjtin intensitet edhe në vazhdim, me interpretimet hollësirat, me intervistat, që shpesh nuk prekin thelbin e tragjedisë, ndaj ndërsa gjëmimet zënë e zbehen, ndodh gjëma e radhës.
Me vuajtjen e madhe të individit, që nuk është vetëm kryefamiljar, babai i fëmijëve të tij, por dhe një aktivist i spikatur i jetës politike-shoqërore shqiptare, autori ka marrë përsipër të na rrëfejë jo një ngjarje që mund të ngjasojë me qindra të tjera, por shkaqet themelore që e nxisin krimin në një familje, me njerëz normalë, që ndërkohë që luftojnë për jetën, e shohin të shkatërruar atë. Kjo është padyshim një nga vlerat e mëdha të kësaj vepre. Preç Zogaj nuk analizon veprimet e vajzave Malaj. I le ato të lira në trajektoren e tyre, me sjelljet e moshës, me gabimet dhe kufizimet, me ëndërrimet dhe trillet.
Ato janë si qindramijëra vajza të tjera, me vullnetin për të ndërtuar të ardhmen, me duart e tyre, të ndërgjegjshme ndërkohë për nurin e tyre femëror, që nxit lakminë e meshkujve. Autori nuk ndërhyn t’u tregojë se si duhet të mbrohen prej së keqes dhe ato e bëjnë këtë sipas instinktit të tyre, duke na u shfaqur të vërteta, larg skematizmit që përkufizon klishenë e nderit dhe pandershmërisë. Lexuesi priret deri në fund t’i shohë me këtë sy. Ato janë të tilla që të gjallërojnë me shpërthimin e moshës, si emërues të përbashkët kanë bukurinë fizike, por secila zë vend në roman, për një meritë të spikatur të autorit, me individualitetin dhe personalitetin e vet, jo rrallë imponues.
Në sfond rri Lumturija, nëna e tyre, që në kontrast me emrin, jeton antonimin e tij. Edhe pse jo shumë e pranishme, ajo personifikon gruan që përpiqet të bashkëjetojë me risitë e kohës, duke pasur si pengesë, jo të vogël, jetën e saj të dikurshme në bjeshkë. Ama diga që e pengon vërshimin, është botëkuptimi i Afrim Malajt, që ajo përpiqet dëshpërimisht, jo ta ndryshojë, por ta afrojë sado pak, me sjelljen dhe dëshirat e bijave, me qëllimin e vetëm: t’ia pakësojë vuajtjet shpirtërore bashkëshortit dhe të mbjelle paqen në shtëpi. Ajo vjen në këtë roman si prototipi i të gjitha nënave që dikur kanë qenë vajza dhe kanë vuajtur në lëkurën e tyre, dhunën, qoftë edhe verbale, të baballarëve apo edhe të vëllezërve më të mëdhenj. Në këtë këndvështrim, ky roman sjell frymën universale të një brenge të përbashkët.
Ndërkohë të bën të reflektosh për shkakun e dikurshëm të sjelljes së ashpër mashkullore ndaj femrës, që ngjason frikshëm me motivin e sotëm dhe që të jep ndjesinë e keqe se nuk ka gjasa të ndryshojë as nesër. Edhe në ditët tona, vajza dhe gruaja shihen si pronë. “Unë ta kam dhënë jetën, unë edhe ta marr”, – i shkon ndërmend një babai. Ato shihen si një objekt që mund të përdoret për të shuar herë epshet e herë mllefet, inatet, dështimet e dikujt që mund të qëllojë të jetë burri i saj. Por në gjithë këtë tollovi sociale, zbulon se pavarësisht asaj që ndodh, Afrim Malaj është dhe vetë një viktimë.
Dhe për meritë të veçantë të autorit Preç Zogaj, ky njeri ngjall një empati të thellë, në një kohë që të duhet ta urresh për aktin e tij mizor. Shkrimtari nuk kërkon ta justifikojë. Ai nuk e pranon krimin e Afrimit. Ai e mëshiron personazhin e tij si baba që sakrifikon dhe s’e zë gjumi për mirëqenien e bijave të tij dhe të familjes në përgjithësi. Afrim Malaj nuk është kriminel. As ka pasur dhe as ka një qasje të tillë, në të kaluarën. Ai është thjesht një fatkeq që nuk pati fuqi t’i rezistojë ligësisë njerëzore. Duke lexuar për të, ne hyjmë në labirintet e shpirtit të tij, të mentalitetit, që edhe ai vetë përpiqet ta ndryshojë dhe t’ia përshtatë kohës, duke pranuar risitë e një jete, të panjohur për bjeshkët e tij. Ama ai është vetëm. Sado që mundohet, shoqërinë e ka kundër. Jo se shoqëria është më e mirë se ai. As ndryshe prej tij. Por shoqëria vetë, indiferente për fatin e tjetrit, është ndërkohë, e molepsur me paragjykime vrasëse dhe si të mos mjaftonte, është e pamëshirshme, sepse këto kupa helmi ia derdh në shpirt një njeriu, që në përsiatjet e veta psikologjike, ka mbetur i vetmuar. Afrimi nuk gjen përgjigje për pyetjet që e mundojnë, sepse, fatkeqësisht rrethohet nga individë, që duke u dergjur në batakun e injorancës, kënaqësi të vetme kanë mbllaçitjen e jetës së tjetrit.
Preç Zogaj e ka dhënë këtë me finesë, herë përmes gjesteve hileqare, herë me fjali ogurzeza që përplasen egërsisht në ndërgjegjen e burrit duke i prishur drejtpeshimin. Tipike për ndyrësinë e individëve që hedhin gurin dhe fshehin dorën. Lexuesi ndodhet në dilemën gërryese se me njerëz të tjerë përqark, Afrim Malaj do të kishte shpëtuar nga sfilitja mendore dhe asgjë e keqe nuk do të kishte ndodhur.
Në fakt në roman shfaqen, jo si protagonistë, edhe këta individë, njerëz të zakonshëm, që shohin punën e tyre, që janë pozitivë në raportet me të tjerët, nuk përgojojnë, nuk priren të bëjnë keq dhe kur munden, të zgjatin dhe dorën, në rast nevoje. Në roman ata vizatohen si një kontorno që tenton të zbusë dramacitetin e ngjarjes dhe vijnë natyrshëm, pa asnjë sforcim, si një element që është i kudogjendshëm në jetën tonë. Nëse ata nuk janë të pranishëm për t’ia lehtësuar brengën Afrimit, kjo ka shkaqe përtej tyre. Më i rëndësishmi, kombinimi i rrethanave, në të cilat ka rrjedhur rinia e Afrimit, edukimi i tij. Janë ato që kanë mbrujtur personalitetin dhe natyrën e protagonistit. I rritur me një perceptim të ndryshëm për botën, mes një realiteti të huaj për të, ai pëson boshllëqe të tjera. Është e pa imagjinueshme që pyetjet munduese që shpërfaqin mendjen e një njeriu, të bëhen pjese e jetës së atyre që ti i mendon se nuk të përkasin, as si formim as si shtresë sociale. Ky vetëkufizim është shkatërrues për njeriun. Në një përfytyrim të ndryshëm të subjektit, Afrim Malaj do të ishte njeriu që do të guxonte të kapërcente limitet e botëkuptimit të tij. Duke shpëtuar jetën. Jo vetëm të tijën. Por kjo është shumë larg së vërtetës që ne e anashkalojmë. Sepse ajo që ne shohim dhe prekim çdo ditë, është vrazhdësia e veprimit që shkatërron tjetrin. Për shkaqe banale. Që mund të shkaktojnë edhe pendimin kur është shumë vonë.
Ndaj duke shkruar këtë roman, në opinionin tim, autori klith kundër këtij realiteti, me pikëllimin për atë që ka ndodhur deri më sot, gjithmonë duke ushqyer shpresën se mendje të hapura të kësaj shoqërie do të mund t’i japin fund indiferentizmit tonë, kur na duhet të hedhim vështrimin, jo në radhët e gazetave që njoftojnë dhunën e radhës, por në thellësinë e fenomenit, për ta luftuar atë.
Kjo vepër vjen me një kontrast mbresëlënës midis tragjizmit të subjektit dhe lirizmit me të cilin është shkruar. Them me bindjen e plotë se si poet, Preç Zogaj i qëndron besnik poezisë edhe në prozën e tij.
Duke lexuar këtë roman, kridhesh në pasurinë e pafundme të leksikut të tij, që vjen edhe me frymë lokale dhe të mahnit kur e sheh se sa bukur i rrin shqipes. Kjo bën që edhe erotizmi në këtë vepër, të përcjellë ndjesi delikate, si të jetë i përshkruar me pendën e marrë prej një shpendi paqësor. Xhoana dhe Orlando. Një lidhje e pamundur të shkojë në martesë, por e veçantë, si rrallë tjetër. Ëndërrimet e vajzave, mbi dashurinë e pritshme janë aq të pafajshme, sa është edhe mosha e tyre. Ndaj dhe baltosja e kësaj pafajësie, të nxit revoltën. Por kaq nuk mjafton.
Shkrimtari Preç Zogaj, është i ndërgjegjshëm për këtë. Ndaj revoltën dhe ndjesitë e tij, dashurinë për personazhet qendrore, vlerësimin për botën e tyre shpirtërore, vuajtjen për dhimbjen e tyre, që i vetëm nuk mund t’ua shmangë, kërkon ta ndajë me të tjerët, përmes këtij rrëfimi. Në këtë kuptim, ai bëhet procesori i një drite, që synon të ndriçojë mendjen e shoqërisë në errësirën që e ka pllakosur, dhe që ai simbolikisht e ka personifikuar me titullin e romanit “Nata”.
Raimonda BELLI GJENÇAJ
Tiranë, më 12.11.2023