Rezulton i treti më i votuar nga “Demokracia e Re”, Beleri: Lufta u fitua në kushte të vështira

Krybashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka reaguar për herë të parë pas sigurimit të një vendi në Parlamentin Evropian, si eurodeputet i forcës politike të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, Demokracia e Re.

Përmes një mesazhi nga burgu, Beleri e cilëson zgjedhjen e tij si eurodeputet në PE si një fitore të dritës mbi errësirën

“Lufta u fitua në kushte të vështira, të paimagjinueshme për një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane. Dhe u fitua”, shprehet ai.

Në mesazhin drejtuar mbështetëve, Beleri nënvizon se zëri i minoritetit tani do të jetë dhe më i fortë, dhe se “do të punoj shumë për të qenë i dobishëm për partinë time, Demokracinë e Re dhe mbi të gjitha për atdheun tone”.

Reagimi i Belerit

“Gjatë të gjitha muajve të aventurës sime, më jepte forcë besimi im se drita gjithmonë fiton ndaj errësirës. Dhe se forca e demokracisë mund të përmbysë çdo praktikë puçiste, mjafton që të ketë vullnet dhe besim në një qëllim më të lartë. Siç kishim ne që dhamë këtë luftë. Një luftë për demokracinë, shtetin e së drejtës, liritë dhe dinjitetin e qytetarëve.

Lufta u fitua në kushte të vështira, të paimagjinueshme për një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane. Dhe u fitua. Falë nderit, patriotizmit dhe krenarisë së Grekëve.

Dua të falënderoj nga zemra të gjitha Greket që më nderuan me votën e tyre. Familjen time që u bë gjatë kësaj periudhe mbështetja dhe zëri im. Miqtë në gjithë Greqinë që qëndruan pranë meje në provën më të vështirë të jetës sime. Dhe natyrisht kryeministrin Kyriakos Mitsotakis që më dha mundësinë të jem kandidat, për të cilën do t’i jem gjithmonë mirënjohës.

Vëllezërve të mi të helenizmit verior dua t’u them se nga sot edhe ata mund të ndihen më të fortë. Dhe çdo bashkëqytetari tonë se si eurodeputet do të punoj shumë për të qenë i dobishëm për partinë time, Demokracinë e Re dhe mbi të gjitha për atdheun tone”, deklaron Beleri në reagimin e tij.

Kujtojmë se Beleri renditet i treti mes kandidatëve më të votuar nga partia “Demokracia e Re” e Kyriakos Mitsotakis.

Në Himarë ndërkohë ka nisur festa, teksa janë hedhur fishekzjarre, ndërsa njerëzit kanë dalë jashtë për të festuar.

Listën e kryeson deri më tani gazetari Giorgos Attias me 3775, i ndjekur nga Vangelis Meimarakis (2868) dhe Fredi Beleri (2473). Më pas vijnë me radhë Manolis Kefalogiannis (2003), Eliza Vozeberg (1941), Eleonora Meleti (1541) dhe Vassilis Kontozamanis e minoritari tjetër Pirro Dhima.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *