Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj bashkë me drejtuesin politik Erion Veliaj, inspektuan nga afër punimet për rehabilitimin e kanalin ujitës Peqin-Kavajë që shërben për ujitjen e rreth 8,000 ha tokë bujqësore në bashkitë Peqin, Rrogozhinë dhe Kavajë.
Denaj tha se, kjo është një nga infrastrukturat më të rëndësishme në sistemin e ujitje kullimit në bujqësi.
“Me këtë investim përfundojmë jo vetëm një objektiv të qeverisë për të ndihmuar sistemin, por mbi të gjitha ruajmë 8 mijë hektarë tokë në tre bashkitë e vendit dhe ky është një investim i rëndësishëm”, u shpreh Denaj.
Ministrja tha se, bashkëpunimi me pushtetin vendor është absolut.
“Edhe ne këtë bashkëpunim e shikojmë edhe në këto pjesët e tjera të vogla, që ndoshta në pamje të parë janë ndërhyrje të vogla në kanalet bujqësore, por pa e koordinuar punën së bashku, pushtet qendror-pushtet vendor, ne nuk ia dalim dot që të përfundojmë një vepër për të gjithë përfituesit që janë pronarët e tokës”, u shpreh Denaj, teksa vuri në dukje impaktin e këtij investimi në mbështetjen e fermerëve dhe prodhimit bujqësore.
/a.r