Anëtarësimi në BE/ Osmani: Shqipëria e Maqedonia e Veriut, gati për hapjen e kapitujve të parë të negociatave

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gati për hapjen e kapitujve të parë të negociatave pa asnjë hezitim”, kështu është shprehur ministri për Punët e Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani.

Në një konferencë të përbashkët për mediat në kuadër të vizitës zyrtare të ministrit Hasani në Maqedoninë e Veriut, Osmani ka deklaruar se qytetarët e dy vendeve janë të padurueshëm për të marrë më shumë nga Evropa.

Bujar Osmani: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shumë më tepër se fqinjë të mirë, ne jemi vende mike, me marrëdhënie të thella reciproke, me mbështetje reciproke jashtëzakonisht të lartë; partnerë dhe aleatë – vazhdojmë së bashku drejt ambicieve tona europiane për t’i parë të dy vendet si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian. Sigurisht që ishte një nga temat kryesore të takimit të sotëm; të dy vendet kanë zhvilluar në mënyrë aktive negociatat për një vit, të cilat përfunduan me sukses procesin e skriningut. Të dy vendet morën nota të mira, do të thosha të shkëlqyeshme dhe janë gati t’i hapin klasterët e parë dhe kapitujt e parë të negociatave pa asnjë hezitim. Për fat të keq, procesi i negociatave është aktualisht në një ndalesë, për të dyja vendet – dhe dua të theksoj se kjo është e gabuar. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme t’i hapin klisterët dhe kapitujt dhe kjo nuk duhet të vonohet; përkundrazi, të dy vendet duhet të vazhdojmë negociatat dhe të përshpejtojnë integrimin e tyre edhe para anëtarësimit të plotë.

Ne jemi aleatë të NATO-s, jemi vende që janë 100% në përputhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit; jemi vende që kemi zbatim të lartë të “AKI”-së europiane në legjislacionin e brendshëm, vende që përfaqësojmë ruajtësit e vlerave të qytetërimit perëndimor, këtu në Ballkan, dhe qytetarët me të drejtë janë të padurueshëm për të marrë më shumë nga Europa tani. Për të marrë hapjen e grupimeve dhe kapitujve që do të thotë një prani më e madhe e Europës këtu në vend, si dhe më shumë integrim tani, përpara anëtarësimit të plotë. Nuk është e vetmja, por është mënyra më e mirë dhe më efektive për reformën thelbësore të të gjithë sistemit shoqëror. Nga sundimi i së drejtës dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; nëpërmjet forcimit të cikleve të investimeve, rritjes së të ardhurave, forcimit të aktivitetit ekonomik; deri në përmirësimin e cilësisë së jetës, cilësisë së arsimit, shërbimeve shëndetësore, sociale etj.

Gjatë fjalës së tij, ministri Osmani ka deklaruar se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Evropë është edhe çështje sigurie, teksa ka bërë thirrje që Evropa të forcojë praninë e saj në rajon.

Bujar Osmani: Kjo është gjithashtu çështje sigurie. Në sfidat moderne të kërcënimeve hibride, ndikimeve të jashtme, por edhe një lufte kinetike aktive në tokën europiane – integrimi i Ballkanit Perëndimor në Europë është gjithashtu çështje politiko-sigurie. Agresioni rus kundër Ukrainës meriton çdo dënim dhe ne jemi këtu të pandarë dhe të qëndrueshëm. Europa, sigurisht me pjesëmarrjen e thellë të ShBA-së, duhet ta forcojë praninë e saj në rajon, ta forcojë pjesëmarrjen e saj në politikat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në këtë mënyrë jo vetëm të forcojë rolin tonë mbrojtës, por edhe të dërgojë një mesazh të fuqishëm parandalimi, si një nga politikat kryesore të sigurisë së Europës.

Në takim i hapëm edhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, të cilat, për fat të keq, mbeten shumë prapa marrëdhënieve të shkëlqyera politike. Shkëmbimi tregtar, i cili mezi i kalon 200 milionë euro, nuk korrespondon me kapacitetet e dy ekonomive, me potencialin e bizneseve, me afërsinë e dy vendeve dhe me marrëdhëniet e vendosura të ngushta. Ne marrim përsipër ta ngremë këtë çështje lart në prioritetet e diplomacisë, si në resorët ekonomikë, në odat, ashtu edhe në programet e qeverive të të dy vendeve. Gjithashtu i hapëm temat e bashkëpunimit rajonal, nismave të shumta rajonale dhe mbështetjes reciproke në organizatat multilaterale në përgjithësi. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria luajtën rol të rëndësishëm multilateral vitin e kaluar: ne si kryesues të OSBE-së dhe Shqipëria si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo paraqet njohje të madhe për të dy vendet dhe ne vazhdojmë të mbështesim në mënyrë aktive njëri-tjetrin në baza multilaterale.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *