RECENSA E JAVËS: Një rrëfim i trilluem mbi joshje historike

Nga ERNEST MARKU

 “Komploti” i Ben Blushit, asht një roman njëqind për qind fikshën dhe si i tillë, ai i len fantazisë hapsina të pamata veprimi, ku shkrimtari mundet me përshfaqë anët ma të mira të stilit të tij dhe lexuesi mundet me u zhytë në lexim e me kultivu kureshti, pa pasë nevojë me ra në historicizëm. Nga ana tjetër, ndihet erudicioni politiko-historik i autorit, i cili, personazhet e tij i vesh me një vello gati-gati mitike, duke i lidhë me figura, sekte, besime apo ngjarje të rëndësishme botërore, si dhe duke i vu me e luejtë teartrin e tyne tragji-komik, pikërisht në kët anë të Adriatikut, që thirret Shqipëri. Sionistë, komunistë, monopolistë, pinjollë dinastish apo ideologë nga ma të çuditshmit, për kapriço të historisë së tyre apo për zgjedhje të lirë, përfundojnë në skenën e jetës politike shqiptare, ku shqiptarët marrin një rol dytsor apo tercial, për të mos thënë se ata nuk janë paraqitur fare si faktor.

Si mbaron së lexuemi kët libër, ke ndjesinë se sapo ka pa nji andërr të keqe dhe ndjehesh si një lexues i Hollebeck-ut, me besimin se duke kenë pjesë e një përjetimi të tillë artistik, veç të tjerash, ti ke vra mundësinë e sendërtimit të një realiteti të tillë. Nëse shkrimtari francez, asht pak si tepër fatalist, në shfrenimin e fantazisë tij; nga ana tjetër, Blushi e mban trillimin në një suazë ma të arsyeshme, duke luajtë me elementë të sarkazmës dhe me pasionin demoniak të personazheve që krijon; në romanin e Hollebeck Franca ndizet flakë, kurse te “Komploti” kemi vetë kshteja që bajnë “puf!” në hi. Gjatë leximit, gati në çdo kapitull, do të të kujtohet fraza e famshme e Çërçillit se: “Ballkani krijon shumë më tepër politikë, se sa asht në gjendje të konsumojë”; ndonëse, në këtë roman, asht politika botërore ajo që vendos t’i japë randësi Ballkanit, ma shumë se sa ai mundet me bajtë.

Natyrshëm të lind pyetja se, n’kët mozaik idesh, forcash apo aktorësh, cili asht qëndrimi që mban autori, çfarë mesazhi kërkon të japë, pranë cilit personazh ndihet, apo me cilën ide përshtatet? Blushi ia arrin ta maskojë qëndrimin e tij dhe nuk duket të mbajë anë, megjithatë, unë e shoh shumë më pranë Simon Shuter-it, edhe pse loja e tij asht ma pak e rrezikshme se e personazhit që krijon; po ashtu, edhe e qeshuna autoriale asht pak ma e hidhun, në kuptimin se i dhemb realiteti, edhe pse e di se nuk e ndryshon dot. Ironia therëse dhe sarkazma konsistente, në raport fatalitetin tonë si komb, sa të squet e vital, po aq edhe me tendencë vetëshkatërruese; mund të shihet si qëndrim i autorit në kët vepër. Në një lexim të kujdesshëm, mundesh me kapë edhe sentenca që e bajnë paksa autor të angazhuem, si këto fraza që ai i ven në gojën e një afgani: “… shqiptarët kanë ikur nga Shqipëria, pasi nuk durojnë dot njëri-tjetrin. Unë jetoj këtu prej 20 vitesh, dhe kam arritur të kuptoj se ferri i shqiptarit, është vetë shqiptari”.

Gjuha e tekstit asht e thjeshtë dhe e rrjedhshme, gja e cila e lehtëson leximin dhe përfytyrimin fotografik, por edhe përceptimin e nëntekstit, koherencës dhe kohezionit të subjektit letrar. Personazhet dhe autori, kanë pothuajse të njëjtën gjuhë, duke mos na dhanë shumë ngjyra lokale; ndonëse autori ironizon një nga përsonazhet e tij, në raport me fobinë e saj ndaj dilektologjizmave. Jo vetëm standarti letrar, por edhe mënyra se si i ndërton dialogjet, shpesh të bajnë me besu se autori dialogon me personazhet e tij, po aq natyrshëm sa ç’dialogojnë ata mes tyre; jo vetëm në rrafshin leksikor, por edhe nga paraqitja grafike dhe ndërthurja e mendimeve dhe e fjalëve. Një qasje e tillë e ban leximin të rrafshët, subjektin atraktiv dhe mendimin linear, ku fantasia nuk zhytet në qorrsokak, po ndjek një linjë logjike, edhe pse trilli në vetvete asht pak alogjik, si në raport me sjelljen e tregut të hidrokarbureve apo atij politik e financiar, ashtu edhe me rrethanat paksa të fryra e ndoshta sureale.

Blushi asht mjeshtër në krijimin e situatave e fabulave interesante por, akoma ma mjeshtërisht ai ofron zgjidhjen e tyne, duke mos përdorë “dues ex machina”, por duke ecë krejt natyrshëm drej një situate të re, e cila, hap pas hapi i afrohet realitetit apo zgjimit nga andrra e keqe. Personazhet pastaj, janë një art “sui generis” i tij, që të mrekullojnë me origjinalitetin e tyne, kjoftë për lehtësinë me të cilin ai lidh emra të historisë botnore me një provincial shqiptar, kjoftë edhe për ndërkalljen e mendimit elitar botnor, me karaktere e tipa njerëzor, të cilët i ndeshim shpesh rrugëve apo kafeneve të qyteteve tona. Retorika e ktyne personazheve, asht sa e thellë, serioze e plot fantazi, aq edhe çmendurake dhe qesharake, në të njajtën kohë; gja e cila i jep shije leximit.

Nëse do të zgjidhja fantazinë ma çmendurake të ktij rrëfimi, nuk do të mendoja për rezikun e dominancës afgane në një shtet si ky i yni, as faktin që një i vdekun mundet me u zgjedhë kryetar bashkie, por ma shumë se kto dhe rrethana të tjera edhe ma komike, të çudit fakti se si akoma, dikush, sot, mund ta mendojë Rusinë si të barabartë me Shtetet e Bashkuara. I çuditshëm asht fakti se në 2043-in e Blushit, nuk flitet fare për Bashkim Europian dhe as për Këshillin e Europës, madje as në aspektin e sigurisë; por vetëm për shtete të pavarura, që luftojnë për territoret e tyne. Për ne si komb, që kemi kalu 500 vjet pushtim osman dhe gjithë atë invazion sllav; rreziku i asimilimit nga afganët, iranianët, sirianët apo bangladeshasit, asht si një pickim mushkaje; për ne asht hala e gjallë motoja e Rilindjes së Vërtetë se: “Për Shqipërinë, dielli lind andej nga perëndon”; edhe pse analizat e kafkave, tregojnë një ngjashmëri më të madhe me ilirët, për kroatët se sa për shqiptarët.

Një roman si ky, synon t’i drejtohet një rrjeti lexuesish sa më të gjanë, por edhe një lexues sqimatar ndihet mirë në faqet e ktij libri dhe i përftohet ndjesia se bani mirë që e lexoi kët vepër, kjoftë për knaqësinë e leximit, kjoftë për faktin se ajo të fut në mendime dhe të ndihmon me kriju një përceptim ma të kjartë për botën shqiptare, problemet e sfidat e saj. Letërsia e Blushit flet, duke mos folë autori. Kjo ndoshta asht vlera ma sublime e këtij krijimi, por edhe përtej tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *