Rama të dielën në Athinë, tur takimesh me Diasporën/ Frrok Çupi: Vizita e kryeministrit bashkon shqiptarët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të nisë një tur takimesh me Diasporën shqiptare në disa kryeqytete të shteteve evropiane. Takimin e parë Rama do ta mbajë më 12 maj në kryeqytetin e Greqisë, Athinë.

Analisti Frrok Cupi, u shpreh në “News Line” se vizita e Ramës ka një rendësi të madhe pasi ndikon drejtpërdrejt në afrimin dhe bashkimin e shqiptarëve.

“Takimi i kryeministrit shumë i vlefshëm pasi bashkon shqiptarët. Shqiptarët nuk konsiderohen më si një masë amorfe. Është një gjë vërtet me vlera në filozofinë e kombeve. Iniciativa e Ramës për të pasur lidhje me emigrantë shqiptarë në vendet e Evropës ka një lidhje të fortë jo thjesht me një krenari rapsodike, por dhe përtej saj”, tha ai.

Më tej, Çupi u shpreh se në takimin e Ramës nuk përjashtohet mundësia që të jepet lajmi se Shqipëria do t’u garantojë emigrantëve të drejtën për të votuar në zgjedhjet e 2025, por gjithsesi kjo lëvizje mbetet për t’u parë.

“Me siguri që do jepet ky lajm që emigrantët shqiptarë në 2025 do kenë të drejtën e votës dhe ta ushtrojnë”, tha Çupi.

Sipas Çupit, vizita e Ramës në këtë format në Greqi, ka një vlerë dhe është kontribut për Evropën.

“Vizita e Ramës me këtë format në Greqi është një kontribut i madh për Evropën. Pse është kontribut? Është kontribut për arsye se Evropa sot ndodhet në pozita jo shumë të forta, dhe atëherë secili anëtar i këtij unionin duhet të ndikojë në fund për mbajtur afër popullin e vet”, shtoi ai./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *