Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot për dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka përshëndetur draft-statutin e Bashkimit Europian për Asociacionin, ku shprehet krenar për kontributin konkret të Shqipërisë, ndërsa thekson se dokumenti është pranuar nga të dy palët.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama thotë se Shqipëria do të vijojë mbështetjen ndaj Kosovës, si dhe në promovimin e paqes në rajon. Mes të tjerash kryeministri zbulon se së shpejti do të shkojë në Prishtinë për të shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në këtë proces.
“Nuk mund të jem më krenar për kontributin e Shqipërisë në procesin e vështirë të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, draft-statuti për asociacionin e komunave me shumicë serbe i pranuar nga Kosova dhe Serbia si dokument i përshtatshëm pune është draft i BE-së.
Shqipëria do ta mbështesë fuqishëm Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes Themelore dhe do të vazhdojë në rolin e saj për të promovuar paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal mes të gjitha vendeve fqinje. Së shpejti do të shkoj në Prishtinë për të treguar personalisht mbështetjen time”, ka shkruar Rama.