BBC: Kompania që loboi për Bashën, e lidhur me rusët

Kompania “Biniatta Trade”, që ndihmoi Lulzim Bashën për lobim në Uashington para zgjedhjeve të 2017-ës rezulton të ketë rrënjë të fshehta në Moskë. Është një hetim i medias publike britanike BBC që ka nxjerrë detaje të reja për çështjen e shumëpërfolur të lobimit.

Një mori dokumentesh të shtëna në dorë nga investigimi i BBC-së në bashkëpunim edhe me media të tjera si “Finance Uncover” dhe “Seychelles Broadcasting Corporation” tregojnë se “Biniatta Trade” ka pasur një kontratë bashkëpunimi që prej 2015-ës me “Alpha Consoulting” një firmë e regjistruar në ishujt Sejshell në Oqeanin Indian, një vend që njihet si parajsë e kapitalit “offshore”.

Siç rezulton nga investigimi, “Alpha Consoulting” është një fabrikë sekrete e financuar nga rrethi i ngushtë i Vladimir Putinit, ndër të cilët edhe ish-kreu i mercenarëve të grupit famëkeq Vagner, Jevgeni Prigozhin që humbi jetën në një aksident ajror në Gusht të këtij viti për të ushtruar ndikim në fushatat zgjedhore të vendeve të ndryshme të botës, në favor të politikës së jashtme të Moskës.

Kompania është në pronësi të një shtetaseje ruse Viktoria Valkovskaja dhe sipas investigimit, ajo ka krijuar mbi 900 kompani që kanë shfrytëzuar boshllëqet në ligjet britanike për të ushtruar ndikim në vendet perëndimore dhe të influencës së tyre, duke fshehur pronarët e vërtetë.

Një prej tyre është edhe “Biniatta Trade” me qendër në Skoci, por me kapital offshore në ishujt Sejshells, që ka lidhur kontratë me “Alpha Consolting” që prej vitit 2015. Firma drejtohej nga një bord drejtuesish që i kishin ndarë aksionet në mënyrë të barabartë me nga 25%. Ligji britanik nuk e detyron bërjen publike të aksionerëve të një firme me kapital offshore, nëse ata nuk e kapërcejnë këtë kuotë.

BBC shkruan se “Raportet e vitit të kaluar tregojnë se inteligjenca amerikane besonte se fushata zgjedhore e zotit Basha, ishte mbështetur fshehurazi nga Rusia me 500,000 Dollarë.

Pikërisht, “Biniata Trade” pagoi ish-ndihmësin e fushatës së Donald Trampit, republikanin Nik Muzin me 150 mijë Dollarë në emër të Lulzim Bashës për lobim në Uashington, në Mars të 2017-ës para zgjedhjeve parlamentare. Pjesë e pagesës ishte edhe kjo foto e Lulzim Bashës me Donald Trampin që në atë kohë ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë.

BBC shkruan po ashtu se në Shtator të këtij viti, Këshilli i Evropës caktoi zotin Basha për të përgatitur një raport për mbështetjen për rindërtimit të Ukrainës pas pushtimit rus, ku deklaroi se nuk kishte konflikt interesi. Në shkrim thuhet se Basha nuk iu përgjigj interesimit të BBC-së për këtë çështje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *