“PS ka makineri perfekte”/ Sejamini: PD të lërë “revolucionet” dhe të përgatitet për zgjedhje!

Neritan Sejamini e konsideron të gabuar qasjen e opozitës, e cila do të nisë protestat, ndërkohë që Partia Socialiste ka nisur organizimin për zgjedhjet e vitit 2025.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Sejamini tha se në momentin që PD kujtohet të nisë fushatën, PS e ka mbaruar dhe gjithçka është vendosur.

“Partitë politike ekzistojnë vetëm për të vajtur në zgjdhje, pavarësisht se ne e keqkuptojmë rolin e partive, si rolin revolucionar të dikurshëm. Partitë kanë vetëm një qëllim, të përgatiten për zgjedhje. PD duhet të harrojë këto revolucionet e mëdha dhe të merret me zgjedhje.

Që Rama po merret me zgjedhjet, është gjëja më normale. Nga pikëpamja e organizimit, PS mbetet një makineri perfekte. Është një punë e imtë, derë më derë, shtëpi më shtëpi, me njerëz, me lista.

PD duhet të kuptojë, që një pjesë e mirë e manipulimit të zgjedhjeve bëhen muaj e muaj para zgjedhjeve. Kur fillon fushata e PD, PS ka mbaruar gjithçka. Ajo që bën PS është normale dhe ajo që bën PD është anormale.

Sa i përket figurave të vjetra, nuk besoj se janë thirrur për të përmirësuar imazhin, mendoj se thjesht Rama nuk do që t’i dalin kundra. Elita që e mbështet duhet të jetë e bashkuar. Rama nuk e ka luksin të fillojnë pakënaqësia. Ashtu krijohet ideja se po humbet mbështetjen dhe kjo është thjesht simnbolikë. Kam përshtypje se po i “ble” edhe shumë lirë. I ka caktuar në disa lagje të Tiranës, këto “kokat e mëdha” të tranzicionit. Është përpjekje që këta njerëz të mos e kritikojnë nesër”, tha Sejamini.

Analisti tha se PD-së do t’i duhet të rekuperojë rreth 200 mijë vota, gjë që është e vështirë.

“Po bëj aritmetikën e numrave. Që PD të fitojë në 2025, i duhen 150 mijë deri në 200 mijë vota që sot nuk i ka. Nëse fiton 700 mijë vota, ke fituar zgjedhjet. Ja po themi 650 mijë vota. PD ka sot diku të 500 mijë. Deri në vitin 2025, duhet të rekuperosh këto vota. A bëhet kjo gjë?

Në çdo lloj fushate politike, çdo gjë që bëhet, vendoset objektivi elektoral. Ka parti që duan të konsolidojnë, ka parti që i përdorin zgjedhjet për të sjellë politikanë të rinj, etj.

Po të isha unë, do të bëja plan që në vitin 2025, të hyja në zgjedhje me qëllim transformimin e PD, për të sjellë një vizion të ri. Të hidhet në lojë një ekip i ri politik.  Objektivi i PD duhet të jetë të fitojë Tiranën në 2027, vetëm atëherë mund të ketë shpresë të fitojë Shqipërinë në 2029”, tha Sejamini.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *