Plotësimi i vakancës së Ahmetajt në Kuvend, KQZ njofton Plarent Ndrecën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njoftojë sot për plotësimin e vendit vakant në Kuvend, kandidatin e radhës në listën shumëemërore të Partisë Socialiste në Tiranë, Plarent Ndreca.

Vendimi vjen pas refuzimit të mandatit nga Dallëndyshe Bici, aktualisht drejtore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Bici informoi dje KQZ-në se nuk do të vijojë procedurat ligjore përkatëse për marrjen e mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të angazhimit në detyrën funksionale që ushtron aktualisht në institucion qendror.

Në mbledhjen e sotme KQZ shpalli moszgjedhshmërinë e kandidatit të radhës në listën shumemërore të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Qarku Tiranë, Dallëndyshe Agim Bici, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Ndërkohë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi bëri të ditur se do njoftohet për vakancën kandidati i radhës në listën shumëemërore të Partisë Socialiste, i cili është Plarent Ndreca.

Mandati i Arben Ahmetaj ka përfunduar para afatit, për shkak se në 6 muajt e fundit, Ahmetaj nuk ka qenë prezent në Kuvend. Ndaj tij janë ngritur akuza penale nga SPAK për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *