Një kthesë dramatike ndodhi me vdekjen e 51-vjeçarit, i cili u helmua nga gruaja e tij në SHBA, vetëm pak orë pasi ai mësoi se ishte përfitues i një trashëgimie prej 30 milionë dollarësh.
Helmimi i Steven Edward Riley Jr nga partnerja e tij 47-vjeçare, Thea Kenoyer, dyshohet se është bërë me një kimikat të përdorur në antifriz, të cilin ajo ia dha përmes ushqimit një ditë përpara se 51-vjeçari të takohej me avokatin, i cili do ta informonte për trashëgiminë.
Por sipas djalit 21-vjeçar të viktimës, Ryan, “trashëgimia” ishte një mashtrim. Ai tha për “New York Post” se babai i tij kishte marrë një e-mail nga një person që pretendonte se ishte avokat i një të afërmi, i cili i kërkoi atij të takohej në një aeroport për të nënshkruar dokumentet e pretenduara të trashëgimisë.
“Ai nuk dyshoi për asgjë para se të shkonte në aeroport, por ishte i sigurt se i kishte trashëguar paratë që do të merrte nga avokati i supozuar”, tha djali 21-vjeçar i viktimës. “Por ‘avokati’ nuk u shfaq kurrë. Ishte një mashtrim. Ai ishte dikush që e bindi babanë tim se gjithçka ishte e vërtetë”, shtoi ai.
Sipas tij, babai i tij kishte planifikuar të blinte tokë, një pjesë të së cilës do t’ua jepte dy fëmijëve të tij dhe më pas donte të hapte një dyqan.
Vlerësimi i 21-vjeçares është se edhe Kenoyer e kishte besuar mashtrimin dhe ky ishte motivi i saj për vrasjen e tij. “Ata nuk ishin shumë të lumtur dhe babai im kishte kohë që mendonte të hiqte dorë nga ajo. Ajo nuk kishte punuar kurrë dhe ishte si shushunja. Ai ishte gjithmonë i mërzitur që ajo nuk bënte asgjë”.
Sipas dosjes së çështjes, Kanoyer u tha oficerëve se ajo kishte të drejtë në pasurinë e Riley dhe planifikoi të ndajë 30 milionë dollarët me djalin e tij.
Riley dha frymën e fundit në spital ku u dërgua një ditë pasi u helmua, me vlerësimin fillestar që vdekja e tij ishte shkaktuar nga arresti kardiak, por një autopsi tregoi se ai kishte qenë viktimë e helmimit.
Oficerët që kontrolluan shtëpinë e çiftit gjetën një shishe me antifrizin, të përdorur në helmim, ndërsa gjurmët e substancës u gjetën në një shishe birre dhe një filxhan plastik të zbuluar në garazh./Liberale.al