Një punonjës policie në Tiranë është plagosur gabimisht nga kolegu i tij teksa ky i fundit po përgatitej për stërvitje.
Ngjarja ka ndodhur ditën e enjte (15 Shkurt) në ambientet e Njësisë së Sigurisë Publike Tiranë.
Inspektori K.Ç. gjatë përgatitjes për stërvitje iu shkrep arma e shërbimit nga pakujdesia dhe plagosi në këmbë kolegun e tij Xh.L. Ky i fundit u dërgua në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, punonjësi i policisë K. Ç. është pezulluar nga detyra. Menjëherë është ngritur grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe veprimet procedurale për këtë rast po kryhen nga AMP.
Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar një hetim të thelluar administrativ për mosrespektimin e procedurave standarde për mbajtjen dhe administrimin e armëve të brezit, nga punonjësit e Policisë.
Në përfundim të këtyre veprimeve, Prokuroria, Policia Gjyqësore dhe AMP kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë, për punonjësin e Policisë K. Ç., për plagosje nga pakujdesia.
/a.r