OKB: 37 fëmijë palestinezë humbasin çdo ditë nënat

Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë ngren alarmin se çdo ditë 37 fëmijë humbasin nënat e tyre në Rripin e Gazës, që prej nisjes së sulmeve izraelite. Përmes një deklarate të shpërndarë në llogarinë X, kjo agjenci thotë se objekt i sulmeve në Gaza janë në shumicën dërrmuese gratë e fëmijët dhe se nga 7 Tetori i vitit të kaluar, OKB-ja thotë se janë vrarë 10 mijë gra dhe rreth 19 mijë të tjera janë plagosur.

Sipas kësaj agjencie, mbi 155 mijë gra shtatzëna, ose që ushqejnë fëmijët me gji përballen me akses të kufizuar në ujë dhe shërbim sanitar. Ndërkohë, OKB-ja flet edhe për pasojat e rënda psikologjike me të cilat po përballen fëmijët në Rripin e Gazës, ku si pasojë e sulmeve izraelite raportohet për mbi 34.600 palestinesë të vrarë, kryesisht gra e fëmijë dhe më shumë se 77.800 të tjerë të plagosur.

Ndërkohë që kjo agjenci ngre alarmin për situatën në Gaza, lëvizja studentore “pro” Palestinës është rritur ndërkombëtarisht. Krahas kampuseve amerikane, protesta janë zhvilluar në Sidnei, Meksikë, Paris, Lozanë, Berlin dhe Montreal. Mediat amerikane flasin për më shumë se 2000 protestues të arrestuar, teksa i krahasojnë ato me lëvizjet kundër Luftës në Vietnam.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *