Noor Hammad është një nga 50,000 gratë shtatzëna në Gaza, e cila ka gjasa të përballet me një lindje traumatike dhe një fillim të vështirë në jetë për fëmijën e saj të parë.
Më 6 tetor, Noor shkoi në punë si zakonisht në një klinikë në Deir al-Balah, në qendër të Gazës, ku punonte si nutricioniste. Në mbrëmje ajo përgatiti darkën për vete dhe burrin. Ata kishin kohë që planifikonin lindjen e fëmijës së tyre të parë në janar dhe kishin dekoruar një dhomë gjumi në pritje të lindjes së saj
Dhoma e gjumit nuk ekziston më. Shtëpia e tyre u shkatërrua nga sulmet ajrore vetëm disa ditë pasi çifti u largua në jug të Gazës më 9 tetor. Noor tani po jeton në shtëpinë me dy dhoma të motrës së saj, ku ajo fle në dysheme me 25 anëtarë të tjerë të familjes.
Pritja e lumtur për ardhjen e foshnjës është zëvendësuar me ankthin për sigurinë e saj, shëndetin e fëmijës së palindur dhe si do të lindë Noor në një zonë lufte.
“Nuk e kam idenë se ku do ta lind vajzën time dhe si do ta pres pa strehë apo rroba,” tha ajo për Guardian. “Unë nuk kam asgjë.”
Noor, 24 vjeç, është një nga rreth 50,000 gra shtatzëna në Gaza që do të përballen me një lindje të pasigurt. Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF); Fondi i Popullsisë i OKB-së (UNFPA); Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe agjencitë e tjera thanë në fundjavë se 14 nga 35 spitalet dhe 46 nga 72 qendrat shëndetësore ose janë të shkatërruara ose nuk funksionojnë më.
Në Gaza, rreth 180 gra në ditë po lindin pa kujdes mjekësor, duke përfshirë kryerjen e operacionit cezarian pa ilaçe kundër dhimbjeve; shumë prej tyre kanë ende gjakderdhje, me orë të tëra pas lindjes.
“Disa gra duhet të lindin në strehimore, në shtëpitë e tyre, në rrugë mes rrënojave, ose në objektet e mbipopulluara të kujdesit shëndetësor, ku higjiena po përkeqësohet dhe rreziku i infeksionit dhe komplikimeve mjekësore është në rritje”, thanë në një deklaratë të përbashkët këto organizata.
Qendrat mjekësore që mbeten të hapura janë të mbushura me njerëz të plagosur nga sulmet ajrore.
“Vdekjet e nënave pritet të rriten, duke pasur parasysh mungesën e kujdesit të nevojshëm,” thanë agjencitë.
“Pasojat psikologjike të luftrave kanë gjithashtu pasoja të drejtpërdrejta dhe ndonjëherë vdekjeprurëse, në shëndetin riprodhues, duke përfshirë rritje të abortit të shkaktuar nga stresi, lindje të foshnjave të vdekura dhe lindje të parakohshme.”
Spitali është aq i mbingarkuar sa Noor nuk ka qenë në gjendje të konsultohet me një mjek për të kontrolluar shëndetin e foshnjës së saj dhe beson se ka pak gjasa për të lindur atje ose në ndonjë institucion tjetër shëndetësor.
“Nuk jam aspak gati të lind, sepse spitalet për momentin nuk pranojnë raste të ngjashme me të miat për shkak të numrit të njerëzve të lënduar.”
Ajo shkon në një qendër të OKB-së dy ose tre herë në javë për të mbledhur ushqim të konservuar dhe ujë të pijshëm. Ushqimi nuk është i mjaftueshëm për 25 anëtarët e familjes dhe ajo shqetësohet se ushqimi i dobët dhe uji i ndotur ose i kripur do të dëmtojnë fëmijën.
“Unë ha disa ushqime me konservues të shtuar që dëmtojnë shëndetin tim dhe shëndetin e foshnjës,” thotë ajo. “Gjendja ime shëndetësore dhe psikologjike nuk është e mirë.
“Nuk mund ta përshkruaj shkallën e vuajtjeve të mia; të gjitha ëndrrat tona janë shkatërruar. Shpresoj se kjo luftë do të përfundojë dhe unë mund të lind vajzën time në paqe.”
Nga Isabel Coat, The Guardian