“Një kohë për të mbjellur dhe një për të korrur!” – Jorida Tabaku: Përshëndes arrestimet për inceneratorin e

Nga Jorida Tabaku

Përshëndes arrestimet për inceneratorin e Tiranës, një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë dhe përgjegjësisë që duhet të mbajnë të gjithë ata që kanë abuzuar me taksat e shqiptarëve dhe qytetarëve të Tiranës. Korrupsioni në aferën korruptive 430 mln euro ka si kurorë të sajën inceneratorin e Tiranës. Kjo aferë nuk është një skeme e ideuar nga disa drejtorë të bashkisë Tiranë dhe disa burokratë të ministrive së bashku me Zoton dhe Mërtirin. Ajo është një aferë korruptive që ka prekur thellë të gjitha qelizat e qeverisjes qendore dhe vendore.

Nuk mund të zhbëjnë gjurmët e tyre duke u fshehur pas disa drejtorëve përgjegjësit e vërtetë që kanë qenë pas kësaj afere korruptive të inceneratorit të Tiranës. Vjedhja e mbi 300 mln euro nga inceneratori i Tiranës, monopoli disa qindra milionë euro i dhënë për inceneratorin e Tiranës, firma e vendosur mbi shkresën 9275/1 nga kryebashkiaku Veliaj, mungesa e thirrjes së Këshillit Bashkiak me një angazhim miliona euro duke shkelur hapur ligjin. Të gjitha këto nuk janë produkt i drejtorëve Tusha apo disa burokratëve të minsitrive. Përkundrazi, janë një dëshmi e një sistemi korruptiv që ka gërryer besimin, shpresën dhe taksat e shqiptarëve aq sa për të vjedhur ditën për diell dhe sy për sy pa turp mbi 390 mln euro nga taksat e shqiptarëve.

Tani, është koha që drejtësia të triumfojë mbi pandëshkueshmërinë. Koha të dëshmojë se askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Koha të tregohet se askush që ndërton dhe blen media, pushtet dhe ndikim nuk mund të jetë mbi ligjin dhe llogaridhënien. Prandaj lipset që drejtësia të vendoset për të gjithë ata që janë përfshirë në këtë skandal, duke përfshirë edhe ata që krenohen si gjeli majë plehut për punë imagjinare edhe ata duhet të përballen me përgjegjësinë për veprat e tyre. Ndaj shpresoj dhe uroj që këto arrestime janë vetëm fillimi i një rruge të gjatë për mbase aferën më korruptive të 100 e kusur viteve në këtë vend. Pasi inceneratorët janë në vetvete instalacioni i korrupsionit që personifikon thellësisht këtë mazhorancë dhe pushtetin e saj vendor.

Reklamo ne TiranaWeb

Në fund, jo nga rëndësia, u bëj thirrje të gjithë atyre që sot janë të arrestuar që të bashkëpunojnë me drejtësinë. Koha që secili të korrë atë që ka mbjellur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *