Para se partitë politike parlamentare të ulen në tryezën e Reformës Zgjedhore, ku do të shqyrtojnë të gjitha propozimet mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shtron një propozim konkret.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi i kërkoi partive politike që të vendosin fillimisht nëse e duan apo jo votimin elektronik në zgjedhje.
Po ashtu, Celibashi theksoi se është e domosdoshme ndryshimi i ligjit për partitë politike.
“Gjatë zgjedhjeve vendore u has problematika e mosfunksionimit të pajisjeve dhe kjo për probleme teknike, po ashtu, pati probleme të USB-ve dhe programimit.”
“Në 7 raste nuk kanë mundur të gjejnë shkaqet e mosfunksionimit, në 6 raste nuk është vënë pajisja në funksionim.”
“Ka nevojë për të vendosur rregulla për fushatën dhe përditësimin e të dhënave. Ka nevojë për ndryshimin e ligjit për partitë politike. Partitë politike duhet të vendosin nëse kanë interes për votimin elektronik.”
Celibashi theksoi se partitë politike dhe Kuvendi duhet të vendosin në lidhje me votën e diasporës. Sipas kreut të KQZ-së duhet që urdhri i Gjykatës Kushtetuese të zbatohet menjëherë dhe se partitë politike duhet të vendosin edhe një lidhje me të ardhmen e votimit elektronik.
“Kuvendi dhe partitë politike duhet të vendosin tani në lidhje me votën e diasporës. Jemi në dijeni se Gjykata Kushtetuese ka prodhuar një realitet të tillë që udhëzon Kuvendin në lidhje me këtë çështje. Nëse ky urdhërim i Gjykatës Kushtetuese nuk do të përmbushet, nuk hezitoj ta them që për zgjedhjet 2025 votuesit e diasporës nuk do të mund të votojnë atje ku kanë vendbanimin. Partitë politike dhe aktorë të tjerë duhet të vendosin tani në lidhje me të ardhmen e votimit elektronik. Nëse kanë interes ta shtrinë do të duhet të vendosin tani dhe do të duhet që fondet të vihen në dispozicion të KQZ-së sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Celibashi.
Duhet të vënë në dispozicion edhe fondet pranë KQZ-së që të mundësohet votimi dhe në bashki të tjera.
“Rreth 2.1 milionë euro kostoja për votimin nga jashtë pa llogaritur kostot nëse do të aplikohet votimi me postë”, u shpreh ndër të tjera kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Vendimi më i rëndësishëm është vota e emigrantëve për të cilën duhet të shprehen partitë politike.