Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 4 vite burg për ish-sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, e arrestuar për korrupsion aktiv. Ndërkohë për specialisten e nivelit të lartë, Laura Shteto, SPAK ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burgim.
Vladimir Topi, administratori i kompanisë “Dricons” rrezikon 2 vite burg, nëse gjykata merr parasysh kërkesën e prokurorit, Dritan Prençi dhe për inxhinierin, Silvi Shehi, SPAK ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burg.
Theksojmë se të tre të pandehurit akuzohen për korrupsion aktiv. Sipas SPAK, ata i dhanë Laura Shtetos 330 mijë lekë për të përfituar tenderin e supervizimit të disa qendrave shëndetësore në Tiranë e Durrës.
Ish-sekretarja dhe punonjësja e Ministrisë së Shëndetësisë u arrestuan për të njëjtën vepër penale. Joana Duro, e cila kishte një vit që e mbante këtë post, u gjurmua nga SPAK pasi iu paguan 330 mijë lekë për favorizim në një tender ku në garë ishin tetë kompani.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, shuma e mësipërme iu pagua sekretares së përgjithshme nga Laureta Shteto, me detyrë specialiste e nivelit të lartë të Agjencisë së Shërbimeve Publike të Integruara.