Çfarë pasojash pritet të sjellë paga mesatare 900 euro? Selami Xhepa: Rritja vetëm në sektorin publik do të thellojë pab

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës si dhe eksperti i njohur i ekonomisë, Selami Xhepa, është shprehur se vendosmëria e qeverisë për të rritur pagën mesatare në 900 euro do të bëhet vetëm për punonjësit e sektorit publik.
Pra, rritje do të ketë vetëm për ata që paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe për të mundësuar rritjen do të jetë e nevojshme rritja e mëtejshme e taksave, çka pritet të rrisë pabarazitë sociale.

Xhepa tha se kjo rritje e shpejtë e pagave do të krijojë një hendek të madh dhe pabarazi sociale.

Ai shtoi se kjo rritje e pagave do të krijojë gjithashtu diferencime të mëdha në skemën e pensioneve.

“Ata që janë në sektorin publik do të jenë përfitues të pagës mesatare 900 euro. Pra ata që paguhen nga taksat tona. Kjo rritje e pagave do të krijojë një hendek dhe pabarazi sociale dhe diferencime shumë të mëdha në skemën e pensioneve. Diferenca në paga mund të justifikohet vetëm me diferencën e produktivitetit. Kur flasim për skemën e pensioneve, elementët e solidaritetit social janë element thelbësorë të kësaj skeme.”

“Kur ndryshoi ligji në 2015 u hoqën këto kufizimet e pensionit minimal dhe pensionit maksimal. Që u hoq u bë shumë mirë sepse me një pagë të lartë, merr edhe një pension më të lartë. Nuk mund të bëjë pensionin maksimal sa dyfishi i pensionit minimal. Kjo detyronte që njerëzit të mos pranonin të deklaroheshin. Pensioni nuk mund të jetë më i vogël se 60 % e pagës.”

“Është e vështirë të japësh një përgjigje nëse ministri duhet të jetë politik apo jo. Unë mendoj se të qenit në politikë ka një rol, sepse rrit përgjegjësinë e tyre në raport me elektoratin. Unë nuk e njoh personalisht zotin Mete, por shoh që ka një formim të mirë nga pikpamja profesionale, por jam dakord që është konteksti sepse varet shumë nga ekipi që ka me vete. Duket një lider politik pa asnjë diskutim. Duhet të ndajnë përgjegjësinë me elektoratin, tha Xhepa.

“Buxheti duhet të kishte disa ndryshime, në veçanti për bujqësinë dhe zhvillimin ekonomik duhet të kishte një fokus më të madh. Nëse do të kishte diskutime më të rëndësishme në Kuvend, mund të kishte përmirësime, por buxheti do të kalojë pa problem”, është shprehur Xhepa ndër të tjera gjatë një interviste në “EuroNews Now”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com