Mesazhet e Ramës për zyrtarët e korruptuar, Milo: Mund të ndodhemi para një arrestimi tjetër…

Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, mesazhet e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e sotme me kabinetin qeverisës dhe grupin parlamentar socialist, për zyrtarët e korruptuar, i cilësoi si parapritë për ndonjë arrestim tjetër të bujshëm në radhët e eksponentëve socialistë.

Nga studio e lajmeve të MCN TV, ai deklaroi se mesazhet e kreut të qeverisë nuk janë të reja, pasi janë përsëritur herë pas here qëndrime të tilla lidhur me luftën kundër korrupsionit, por edhe në radhët e Partisë Socialiste.

Sipas tij, sot u artikuluan me një theks më të veçantë, por nuk sheh ndonjë risi ose fenomen që nuk është identifikuar më parë  dhe se tema qendrore ishte lufta kundër korrupsionit e cila është marrë dhe rimarrë disa herë nga Edi Rama.

“Tema është rimarrë sidomos gjatë muajve të fundit kur eksponentë të veçantë socialistë janë paraqitur para drejtësisë për të dhënë llogari për veprimtaritë e tyre korruptive.

Nuk kemi ndonjë element të ri që të sillte deklarata kaq të forta.

Është një fjalim i mirëmenduar për tu thënë sot, por që vjen si rrjedhojë e akumulimit të një numri akuzash që janë bërë ndaj eksponentëve të veçantë të Partisë Socialiste dhe qeverisë.

Ka gjetur momentin tani për ti artikuluar më me forcë, pasi mund të ndodhemi para ndonjë arrestimi tjetër të ndonjë eksponenti të PS, mund të ndodhemi përpara ndonjë shpërthimi tjetër korruptiv të qeverisë socialiste.

Kryeministri Rama patjetër që ka informacione të klasifikuara, se për shkak të detyrës informohet për informacione sekrete.

Është i pari mes të gjithëve në piramidën qeveritare që ka të drejtën të njihet, jam i sigurt që ka informacione të klasifikuara që i jepen nga shërbimet sekrete dhe agjencitë qeveritare që kanë për detyrë të luftojnë korrupsionin.

Është ende herët për të parë se cilin do ketë në fokus SPAK në radhën e qeverisë, apo eksponentë të Partisë Socialiste.

Nuk e përjashtoj mundësinë që mund të ketë dhe mendoj se do ketë, por se cili emër i përveçëm do jetë para togave të drejtësisë, e kam të vështirë se nuk dua të paragjykoj”, deklaroi Milo.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *