Pas një morie vjedhjesh në shtëpi, lojtarët e Premier League po shtojnë masat për të ndihmuar në mbrojtjen e familjeve dhe pronave të tyre. Yjet e Premier League po punësojnë ish-oficerë të SAS (ushtria britanike) për të mbrojtur shtëpitë e tyre nga vjedhjet dhe grabitjet.
Mesfushori i Mançester Sitit, Kevin De Bruyne u bë lojtari më i fundit britanik të cilit iu bastis shtëpia nga hajdutët, kur rezidenca e tij në Belgjikë u thye javën e kaluar. Dyshja e Chelsea, Reece James dhe Raheem Sterling gjithashtu kanë qenë në shënjestër, madje këtij të fundit që iu desh të fluturonte në shtëpi e të braktiste Kupën e Botës vitin e kaluar për të mbështetur familjen e tij.
Paul Pogba dhe Jesse Lingard ishin gjithashtu viktima të incidenteve të ngjashme gjatë kohës kur luanin te Manchester United , ndërsa ish- mbrojtësi i City-t Joao Cancelo u sulmua nga një tjetër grabitës. Me incidente si këto që vazhdojnë të ndodhin, lojtarët e Premier League po shqyrtojnë të gjitha mjetet e mundshme të mbrojtjes.
Sipas Daily Mail, së cilës i referohet Daily Star , bandat vijnë nga vende të tilla si Shqipëria, duke synuar shtëpitë e individëve të pasur. Këto grupe zakonisht mbërrijnë në vend me bashkëpunëtorë që i ndihmojnë duke kërkuar adresat e shtëpisë së shumë lojtarëve.
Besohet gjithashtu se qëllimi i bandave grabitëse është të përpiqen të marrin orë dhe stoli me vlerë të lartë që mund t’i mbajnë disa emra, ndërsa kalojnë nëpër sigurinë e aeroportit. Forcat e sigurisë që punojnë me klubet thuhet se i kanë vënë re këto aktivitete dhe po punojnë në mënyrë aktive me lojtarët për të përhapur ndërgjegjësimin. /Liberale.al/