“Kemi një strategji për mbrojtjen e viktimave të krimit”, kështu ka deklaruar Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në tryezën e organizuar në kuadër të “Javës Ndërgjegjësuese në Mbrojtje të Viktimave të Krimit”.
Manja u shpreh se nevijitet një kualifikim i fuqisë punëtore në mënyrë që viktimat e krimit të ndihen dinjitozë. Sipas ministrit, paga pa punë se je viktimë e një krimi është lëmoshë e shoqërisë.
“Kemi një strategji për mbrojtjen e viktimave të krimit. Kategori vulnerabël është një njeri, familje që nuk ka mundësi të jetë i aftë për punë. Këtu duhet të fokusohemi, të rrisim programet e ndihmës ekonomike, jo për një njeri që është i pakualifikuar, i paarsimuar, ka tentuar trë bëjë një punë dhe s’ia ka mbajtur dhe rri në dyert e ndihmës ekonomike.
Do duhet të përballemi me të gjitha këto fenomene. Kur të përcaktojmë kordinatorin kombëtar duhet të kemi qartësi për krijimin e fondit të besimit që jam dakord të jetë fond për kualifikimin e fuqisë punëtore dhe kam parasysh target grupin e viktimave të krimit pa dallim gjinie.
Ky fond besimi s’do duhet të shkojë për t’i paguar me pagë këtë kategori, ne do duhet të shtrihemi drejt kualifikimit të fuqisë punëtore që viktimat të ndihen edhe të dinjitetshëm kur iu ofrohet mundësia për punësim apo riintegrim në shoqëri.
Paga pa punë se je viktimë e një krimi është lëmoshë e shoqërisë”, tha Manja.
/f.s