FOTO / Liderët e botës mblidhen në Mynih për Konferencën e Sigurisë

Liderët globalë janë mbledhur në Mynih të Gjermanisë për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë që do të zgjasë 3 ditë.

Aty do të marrin pjesë 60 krerë shtetesh dhe mbi 85 zyrtarë qeveritarë dhe do të diskutojnë për çështjet aktuale dhe ato të ardhshme që kanë të bëjnë me sigurinë globale.

Konferenca e Sigurisë në Mynih e këtij viti konsiderohet ndoshta më e rëndësishmja në historinë 60-vjeçare, dhe kjo për shkak të luftës ruse në Ukrainë, luftës në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Hamasit, zgjerimit të NATO-s, por dhe rritjes së tensioneve që përfshijnë vendet në Oqeanin Paqësor dhe atë Indian.

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në këtë aktivitet, i cili u nis për Mynih paraditen e të premtes. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, udhëtoi për në Gjermani mbrëmjen e të enjtes, fill pas vizitës historike në Shqipëri. Zv/Kryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, do të jetë e pranishme në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do të mbajë një fjalim në konferencë. Liderë të tjerë të rëndësishëm që do të mbajnë fjalë janë zv/Presidentja amerikane Kamala Harris, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, Kancelari gjerman Scholz, Presidenti i Izraelit dhe Kryeministri i Palestinës do të flasin gjithashtu, ministri i Jashtëm kinez etj.

Mbi 5 mijë forca policore janë angazhuar për të garantuar sigurinë gjatë konference. Shumë rrugë janë të bllokuara, ndërsa një pjesë e hapësirës ajrore lokale është mbyllur.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *