Mbi 80 plumba në atentatin e Shkodrës/ Dëshmia e të plagosurve: U fshehëm pas makinës, nuk i pamë autorët

Dy të plagosurit e atentatit që ndodhi në Shkodër mbrëmjen e së martës kanë thënë për hetuesit se nuk i panë autorët dhe nuk kanë arritur t’i identifikojnë.

Sipas tyre, kanë mundu të shpëtojnë vetëm duke u fshehura prapa makinës së tyre deri kur mbaroi breshëria e armëve, teksa theksojnë se nuk kanë konflikte me persona të tjerë.

“Sapo zbritëm nga makina dëgjuam të shtëna armësh. Nuk kemi arritur që të shohim se kush ishin ata që na qëlluan me armë. Nuk kemi konflikte me persona të tjerë dhe nuk e dimë arsyen përse na qëlluan. Në momentin kur nisën të shtënat kemi lëvizur me shpejtësi duke u munduar të shpëtojmë. Derisa janë larguar qëndruam pas makinës”, kanë thënë të plagosurit në dëshminë e tyre, që është siguruar nga gazetarja e Klan News në Shkodër, Emi Kalaja.

Ndërkohë, vendngjarja i ngjason një skene lufte për nga moria e arsenalit të plumbave që janë derdhur në drejtim të dy të plagosurve. Më shumë se 80 gëzhoja kallashnikovi u gjetën në vendngjarje, çka do të thotë se autorët kanë qëlluar me shumë se 80 plumba.

Sipas dëshmitarëve, kanë qenë 4 persona që morën pjesë në atentat, nga të cilët 3 qëllonin me armë. Kamerat e sigurisë pranë lokalit nuk kanë fiksuar pamje të qartë të autorëve, teksa këta të fundit dyshohet se kanë qenë të maskuar.

Në makinën e djegur që kishin lënë pas autorët, grupi hetimor gjeti edhe 3 armët kallashnikov të përdorur në atentat, që janë dërguar për ekspertim.

Ndërkohë, policia ka shoqëruar 20 persona në lidhje me këtë ngjarje, por nuk ka ende të dhëna për identitetin e autorëve.

Nga atentati mbrëmjen e së martës në Grudë të Re mbetën të plagosur kunetërit Gjon Nika 30 vjeç dhe Gj.Ndërshtiqaj 28 vjeç, ky i fundit student në Akademinë e Sigurisë. Objekt i atentatit dyshohet se ishte Nika. Ata morën nga një plumb në trup duke shpëtuar mrekullisht. Gjendja e tyre paraqitet jashtë rrezikut për jetën.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *