Që prej mbrëmjes së së shtunës nuk ka asnjë lajm për dy 22-vjeçarët, Giulia Cecchettin dhe Filippo Turetta, ish-i dashuri i vajzës. Të rinjtë janë zhdukur dhe celularët e tyre janë fikur.
Vajza është nga Vigonovo, në provincën e Venecias, ndërsa ai nga Torreglia, në provincën e Padovës. Të dy janë studentë të inxhinierisë në Universitetin e Padovës. Marrëdhënia e tyre do të kishte përfunduar në muajin gusht.
Sipas asaj që u rindërtua nga “Corriere del Veneto”, dy 22-vjeçarët u takuan mbrëmjen e së shtunës, 11 nëntor. E reja u largua nga shtëpia rreth orës 18:00 dhe hipi në Fiat Punto-n e zezë të Turetta-s. Ata u panë për herë të fundit të ulur në tavolinat e McDonald’s brenda qendrës tregtare Nave De Vero në Marghera rreth orës 20:00.
Nuk ka asnjë lajm për vajzën që prej orës 22:43 të së njëjtës mbrëmje, kur ajo i dërgoi mesazhin e fundit motrës së saj. “Unë dhe motra këmbyem mesazhe gjithë mbrëmjen, ajo ishte e qetë si gjithmonë, po flisnim për rrobat. Pas orës 22:43 ajo nuk përgjigjej më në telefon dhe që atëherë nuk ka asnjë lajm prej saj”, tha motra e Xhulias.
Gino Cecchettin, babai i vajzës ka denoncuar në policinë e Vigonovës, ndërsa prindërit e 22-vjeçarit kanë shkuar në kazermën ushtarake Teolo për të denoncuar zhdukjen e tij. “Prindërit e Filippos më thanë se në ditët e fundit djali mezi po hante, ishte shumë i dëshpëruar në shpirt. Unë nuk mendoj se ai e kishte kaluar ndonjëherë prishjen e marrëdhënies me vajzën time, kam frikë se kjo mund të ketë të bëjë me zhdukjen e tyre dhe kjo është ajo që më frikëson më shumë”, tha ai.
Forcat e policisë së qytetit metropolitane të Venecias dhe provincës së Padovës po përpiqen të gjurmojnë dy të rinjtë, duke përqendruar hetimet mes Mestre, Vigonovo dhe Fossò./Liberale.al