Mashtrimi i madh në internet: Dyqanet false vidhnin paratë e të dhënat e blerësve nga Evropa dhe SHBA

Më shumë se 800 mijë njerëz në Evropë dhe SHBA duket se janë mashtruar për të ndarë detajet e kartave dhe të dhëna të tjera personale në një rrjet të gjerë dyqanesh të rreme në internet që sipas investigimit, operonin nga Kina.

Hetimi ndërkombëtar është kryer nga “Guardian”, “Die Zeit” dhe “Le Monde” dhe jep një vështrim të mekanikës së asaj që Instituti i Standardeve të Tregtisë në Mbretërinë e Bashkuar e ka përshkruar si një nga mashtrimet më të mëdha të këtij lloji, me 76 mijë faqe internet të rreme.

Të dhënat e ekzaminuara nga reporterët dhe ekspertët, tregojnë se operacioni është shumë i organizuar, teknikisht i zgjuar dhe i vazhdueshëm. Duke funksionuar në shumë shtete, programuesit kanë krijuar dhjetëra mijëra dyqane të rreme në internet që “ofrojnë mallra me zbritje” nga Dior, Nike, Lacoste, Hugo Boss, Versace dhe Prada, si dhe shumë marka të tjera premium.

Foto: Një faqe interneti e rreme që pretendon se ofron produkte Lacoste

Të publikuara në shumë gjuhë nga anglishtja në gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, suedisht dhe italisht, faqet e internetit duket se janë krijuar për të joshur blerësit që të bëjnë blerje si dhe të ndajnë të dhënat e ndjeshme personale.

“The Guardian” shkruan se faqet nuk kanë asnjë lidhje me markat që pretendojnë se shesin dhe në shumicën e rasteve konsumatorët që folën për përvojën e tyre thanë se nuk morën asnjë artikull edhe pse i shpenzuan paratë.

Sipas investigimit, dyqanet e para të rreme në rrjet janë krijuar në vitin 2015. Bazuar në analizën e të dhënave, më shumë se 1 milion “porosi” janë përpunuar vetëm në 3 vitet e fundit. Jo të gjitha pagesat u përpunuan me sukses, por analiza thotë se grupi mund të ketë tentuar të marrë deri në 50 milion €. Shumë dyqane kanë pezulluar punën e tyre, por një e treta e tyre, më shumë se 22,500 funksionojnë ende.

Banorët e Evropës Veriore porositën produkte nga rrjeti me një normë më të lartë se kudo tjetër (Burimi “The Guardian”)

Deri më tani rreth 800,000 njerëz, pothuajse të gjithë në Evropë dhe SHBA, kanë ndarë adresa emaili, të dhëna të kartës së debitit dhe kreditit, përfshirë numrin e tyre treshifror të sigurisë. Të gjithë ata kanë dorëzuar në rrjet edhe emrat, numrat e telefonit, emailet dhe adresat postare.

Ekzistenca e rrjetit të dyqaneve të rreme u zbulua nga Security Research Labs (SR Labs), një konsulencë gjermane për sigurinë kibernetike.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *