Luajti 20 ndeshje me Shqipërinë, a ju kujtohet Samir Ujkani? Vjen vendimi i tij i papritur

Samir Ujkani i ka dhënë fund karrierës si futbollist në moshën 35-vjeçare. Portieri i Kosovës luajti edhe 20 ndeshje me kombëtaren shqiptare, ndërsa ka një karrierë të shkëlqyer në Serie A.

I lindur në Vushtrri, Ujkani e nisi me futbollin në vitin 2007 me Palermon, për të vijuar më pas me Novarën, Chievon, Genoan, Pisan, Cremonesen, Rizespor, Torinon dhe së fundmi Empolin.

Lajmin e ka bërë me dije vetë portieri në kanalet e komunikimit. Pritet që Ujkani të marrë rolin e trajnerit të portierëve në ndonjë nga klubet ku ka qenë pjesë.

“30 vite më parë, si një djalosh 5-vjeçar mora topin e futbollit në këmbët e mia dhe që nga ai moment, topi i futbollit ishte pjesë e jetës sime. Nuk e kam pritur e imagjinuar asnjëherë se do të përjetoj një rrugëtim kaq të bukur e të mbushur me kaq shumë momente kënaqësie. Ai fëmijë që dikur ishte 5-vjeçar, u detyrua të largohej nga Kosova, për t’u shndërruar në një djalosh e në një burrë, në një futbollist që më vonë do të kthehej sërish në Kosovë, ndërmjet dy shtyllave për të mbrojtur triumfalisht portën e saj. Ashtu sikur për gjithçka tjetër në jetë, ka ardhur koha që të them lamtumirë.

“Nuk jam as i mërzitur e as i trishtuar, në fakt ndihem shumë i qetë dhe shikoj me krenari të jashtëzakonshme rrugëtimin tim futbollistik dhe karrierën time, duke qenë i vetëdijshëm se kam qenë me shumë fat që kam përjetuar një eksperiencë unike dhe të mrekullueshme. Ky rrugëtim më ka dhënë mundësinë të njoh shumë njerëz, pothuajse në çdo qytet ku kam jetuar dhe kujtime të pashlyeshme për çdo fanellë që e kam bartur me krenari dhe që do të jenë pjesë e rëndësishme e jetës sime”, shkroi mes të tjerash Ujkani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com