Kush është personi prapa jush? Batuta e Ramës për Ismail Qemalin: Gjyshi im, e shikoni ngjashmërinë?!

Nga Vlora, pasi mbaroi inspektimin e punimeve në aeroportin e Vlorës, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim në Këshillin e Atlantikut mbi sfidat e rajonit dhe perspektivën europiane të Shqipërisë.

Rama vuri në dukje se “kemi probleme për të zgjidhur. Kemi ende një elefant të madh në dhomë që ende nuk na jep atë pjesëzën e fundit që është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.

Rama deklaroi se çështja mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të zgjidhet përfundimisht me njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës dhe vendosjen e paqes.

“Kjo situatë që është përmirësuar shumë nëse marrim në konsiderate që deri 10 vjet më parë ne nuk flisnim as me njëri-tjetrin, duhet të trajtojë e të zgjidhë këtë çështje midis Kosovës dhe Serbisë me një njohje të plotë të Kosovës dhe praktikisht me paqen përfundimtare! Është përgjegjësi e Beogradit që shpalli zi kombëtare në nder të kriminelëve. Duhet të mos biem pre e përshkallëzimeve dhe të trefishojmë përpjekjet për të bërë paqe.

Jam i inkurajuar nga ndryshimi në qasjen e autoriteteve të Kosovës dhe duke pranuar në parim asociacionin e komunave me shumicë serbe, kryeministri i Kosovës dhe qeveria kanë dëshmuar vullnet të rëndësishëm për të ecur para dhe për të kërkuar zgjidhje e jo alibi,” – deklaroi Rama, i cili u ndal edhe më tej në problemet globale, siç është aktualisht lufta Izrael- Hamas.

Në momentet e fundit të intervistës, Rama ka bërë një batutë për fotografinë e Ismailit Qmalit, politikanit që ngriti flamurin në Vlorë më 28 Nëntor 1912 dhe firmosi pavarësinë e Shqipërisë, duke hedhur kështu themelet e para të shtetit shqiptar.

I pyetur se kush ishte personi që qëndronte pas tij i varur në mur, Rama iu përgjigj: “Gjyshi im, shikoni ngjashmërinë? Është ati themelues i Shqipërisë, burri që ngriti flamurin e Shqipërisë pak metra nga ku jam tani. Është gjyshi i gjithë shqiptarëve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *