Kryeministrja italiane Meloni shpall kandidaturën për zgjedhjet e BE-së

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha sot ajo do të jetë kandidatja kryesore e partisë së saj të djathtë në zgjedhjet evropiane të qershorit, por nuk do të largohej nga Roma në Bruksel nëse zgjidhej.

“Kam vendosur të kandidoj për të udhëhequr listat e ‘Fratelli d’Italia’ në të gjitha zonat zgjedhore”, tha Meloni në një tubim të madh fushate në qytetin bregdetar të Adriatikut, Peskara.

Meloni shpreson se prania e saj në fletëvotim do të mobilizojë mbështetësit e partisë në zgjedhje për të zgjedhur anëtarët e rinj të Parlamentit Evropian (PE).

Partitë e tjera italiane kanë ndjekur të njëjtën qasje.

Udhëheqësja e opozitës, Elly Schlein e Partisë Demokratike (PD) të qendrës së majtë dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani i konservatores ”Forza Italia” po konkurrojnë gjithashtu si kandidatë kryesorë të partisë – pa pritur që të bëhen eurodeputetë.

Ish-presidenti i Komisionit Evropian, politikani veteran italian Romano Prodi, e ka kritikuar ashpër këtë praktikë.

Në një sondazh të botuar në gazetën ”La Stampa”, të dielën, partia e Melonit mori mbështetjen e më shumë se 27% të të anketuarve.

”Forza Italia”, e themeluar nga manjati i ndjerë i medias Silvio Berlusconi, mori 8,7% dhe ministri i Infrastrukturës, i krahut të djathtë, Matteo Salvini mori 8,5%.

Në Pescara, Meloni tha se e majta do të dërgohej në opozitë në nivel evropian – ashtu siç kishte arritur në Itali në 2022.

Që kur ajo erdhi në pushtet, Italia është bërë sërish një “protagoniste në Europë” dhe, për shembull, ka pasur një ndikim të rëndësishëm në politikën e migracionit.

Meloni gjithashtu u zotua të vazhdojë të mbështesë popullin ukrainas “kundër imperializmit neosovjetik të Vladimir Putinit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *