Kriza në industrinë fasone, Rama takim me përfaqësuesit: Garanci sovrane për investime në teknologji

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me përfaqësues të industrisë fasone për të fuqizuar akoma më shumë këtë sektor.

Në takimin e zhvilluar në “Shtëpinë e Biznesit” te Piramida, Rama evidentoi nevojën se biznesi fason tashmë duhet të investojë në teknologji dhe të rrisë pagat për punonjësit.

“Në “Shtëpinë e Biznesit” me përfaqësuesit e shoqatës së industrisë me material porositësi (fason), për të diskutuar mbi nevojat për transfomimin e mëtejshëm të sektorit, në shembullin e kompanive lider në sektor; masat mbështetëse që do të ndërmarrim për kapërcimin e sfidave të zhvillimit; domosdoshmërinë e të kuptuarit nga të gjithë aktorët e sektorit të faktit se koha e krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues ka përfunduar prej disa kohësh tanimë dhe ky fakt përballet vetëm me investime në teknologji e inovacion, e me paga dinjitoze rrjedhimisht. Ndërhyrjet e dakordësuara do të stimulojnë pikërisht transformimin dhe investimet në teknologji e inovacion, duke mbështetur me shpejtësi nevojën për likuiditet, nevojën për kreditim të lehtësuar, si edhe për burime njerëzore të kualifikuara”.

Për t’i ardhur në ndihmë këtij sektori që të transformohet, Kryeministri renditi edhe mbështetjen që do ofrohet ndaj tyre.

“Rimbursim i shpejtë i TVSH përmes një kanali të dedikuar për kompanitë e kësaj industrie. Ofrimi i një mekanizmi lehtësues (overdraft) për disponimin e shpejtë të likuiditetit, sipas kontratave me porositësit që kompanitë duhet të fusin në prodhim. Një garanci sovrane për investime në teknologji dhe inovacion. Një skemë financimi për ngritjen e një akademie profesionale për manifakturën dhe trajnimet përkatëse në kompani. Qeveria do të rrisë angazhimin e saj për ta mbështetur më tej këtë sektor që të mbyllë vetë ciklet e prodhimit, si dhe të bëhet më produktiv e më konkurrues duke fuqizuar markën “Made in Albania”.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ministri i Financave Ervin Mete, ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhe dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *