Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi sot se komisioni rekomandon që Këshilli të hapë negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë.
Komisioni rekomandon gjithashtu hapjen e negociatave të pranimit në BE me Bosnje Hercegovinën “pasi të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit”, tha ajo.
Dhe komisioni rekomandon që këshilli t’i japë Gjeorgjisë statusin e një vendi kandidat, duke kujtuar se janë bërë disa reforma, raporton “The Guardian”.
Ukraina vazhdon të përballet me vështirësi dhe tragjedi të jashtëzakonshme të provokuara nga lufta e agresionit të Rusisë, dhe megjithatë ukrainasit po e reformojnë thellësisht vendin e tyre, edhe pse po bëjnë një luftë që është ekzistenciale për ta.
Von der Leyen tha se Ukraina ka përfunduar “më shumë se 90% të hapave të nevojshëm të përshkruar nga komisioni vitin e kaluar”, duke vënë në dukje reformat në drejtësi dhe përpjekjet kundër korrupsionit.
Reformat e mbetura janë tashmë në rrugën e tyre, kjo është mirë dhe komisioni i vlerëson këto përpjekje. Dhe mbi këtë bazë ne kemi rekomanduar sot që këshilli të hapë negociatat e anëtarësimit.
Komisioni, vuri në dukje ajo, ka rekomanduar gjithashtu që këshilli të miratojë një kornizë negociuese pasi Ukraina të ketë kryer reformat e saj./Liberale.al