Kërkoi pesë herë largimin e Sandër Simonit, Gjykata e Lartë gjobit Dritan Dajtin

Është zhvillular sot në Gjykatën e Lartë seanca për vendimarjen e rastit Dritan Dajti. Ky i fundit ka kërkuar përjashtimin e relatorit të çështjes, Sandër Simoni.

Një ditë më parë në datën 10 qershor, Dritan Dajti ka depozituar kërkesën Nr. 5 në Gjykatën e Lartë me të njëjtin objekt ligjor, përjashtimin e relatorit, Sandër Simoni, me argumentin se është i njëanshëm dhe ka papajtueshmëri në gjykimin e këtij rasti.

Por Gjykata e ka refuzuar dhe e ka gjobitur Dajtin për kërkesë të padrejtë me 10 mijë lekë të reja.

Një javë më parë Gjykata e Lartë refuzoi të pranojë 4 kërkesat e Dajtit për përjashtimin e Simonit, ku vendimi i fundit u mor nga gjyqtari Asim Vokshi.

Sot pritet të gjykohet kërkesa nr.5 e Dajtit nga anëtari i Gjykatës së Lartë, Valbon Çekrezi.

Dritan Dajti u dënua nga shkalla e parë me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, ngjarje e shënuar më 7 gusht të vitit 2009, në Durrës, gjatë një operacioni për arrestimin e tij.

Por, në shkurt të vitit 2019 Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar duke caktuar ndaj këtij të fundit 25 vite burg.

Ndërkohë, vendimi i dhënë nga pesë gjyqtaret e Apelit, Fuat Vjerdha kryetar, Lindita Hoxha, Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skender Damini u ankimua nga Prokuroria e Apelit e Krimeve të Rënda, e cila kërkon dënimin e Dajtit me burgim të përjetshëm.

Gjykata e Lartë do shqyrtojë sot kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që kërkon burg përjetë për Dritan Dajtin.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com