Kaosi në Kuvend/ Rama: Drejtësia të reagojë, kemi ngritur numër rekord komisionesh hetimore

Tensionet në seancat plenare, ndezja e tymueseve në Parlament dhe pengimi i zhvillimit normal të seancave, sipas Kryeministrit Edi Rama duhet dënuar.

Ai u shpreh se, drejtësia duhet të bëjë drejtësi mbi ata që pengojnë forcërisht ushtrimin e detyrës së të tjerëve. Teksa u ndal edhe te vendosja e zjarrit nga deputeti demokrat Bledjon Nallbati në Kuvend, Rama u shpreh se për një zjarrëvënës nuk mund të përcaktohet si masë ekstreme vetëm përjashtimi nga Kuvendi për 10 ditë.

“Non grata” dhe zëdhënësit e tij, që kanë marrë përsipër që për një hall krejtësisht personal me drejtësinë e re, të kthejnë parlamentin në një shesh për të bërë përshesh dhe i gëzohen faktit që ndezja dhe e flakës në sallën e Parlamentit, merr dhenë nëpër të gjithë mediat e botës, a thua se kjo sjell një gjë tjetër përveç shkarravitjes së imazhit të Shqipërisë. Janë në të drejtën e tyre të bëjnë zgjedhjet e tyre. Parlamenti i ka rregullat e veta, ka dhe kufizimet e veta sepse në kushtet kur rregullorja e Parlamentit përcakton si masën më ekstreme përjashtimin vetëm për 10 ditë të një zjarrëvënësi, atëherë ne nuk na mbetet asgjë tjetër që me durim të presim që drejtësia të bëjë drejtësi mbi ata që pengojnë forcërisht ushtrimin e detyrës së të tjerëve”, tha Rama.

Sa i përket kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, Rama bëri me dije studimin e kryer nga grupi i punës për të ndërhyrë në ligjin për komisionet hetimore.

Rama theksoi se Shqipëria mban numrin rekord për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.

“Nuk ka asgjë për të negociuar sepse është e pavërtetë që komisionet hetimor mund të ngrihen sepse një numër i caktuar firmëtarësh u ngrehet të ngrenë një Komision Hetimor. Kjo gjë është e përcaktuar në ligj dhe e kornizuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.”

“Kam studimin e bërë nga grupi i punës për të ndërhyrë në ligjin për komisionet hetimore. Studimi ka brenda shumë të dhëna. Shqipëria mban numrin rekord me shumë distancë nga të gjitha vendet e tjera për numrin e komisioneve hetimore që ka ngritur në gjithë këto vite”, tha Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *