Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka deklaruar në studion e emisionit “3D” se në dosjen e SPAK mbi përgjimet e komunikimeve në Sky Enchrochat ka dyshime se policë të niveleve të larta kanë lidhje me krimin.
Karamuço vuri në dukje se “ka një prani shumë të madhe të efektivëve të policisë, sidomos të niveleve të larta që kanë komunikuar gjithë kohën, jo vetëm me krimin e organizuar, por edhe me politikën për të krijuar lehtësi dhe favore në rrugë të paligjshme”
Sipas tij, iniciativa e ndërmarrë nga ministri i Brendshëm Taulant Balla mbi urdhrin se kush efektiv kapet me këtë aplikacion do të përjashtohet nga radhët e Policisë së Shtetit, është e diktuar nga partnerët ndërkombëtarë.
“Kjo nuk të bëjë fare me procesin e vetingut sepse këtij formulari po i nënshtrohen të gjithë efektivët, gati 11700 efektivë që ka gjithsej policia e Shtetit. Ka të bëjë me një iniciativë të re e diktuar nga partnerët ndërkombëtarë ku ka një prani shumë të madhe të efektivëve të policisë, sidomos të niveleve të larta që kanë komunikuar gjithë kohën, jo vetëm me krimin e organizuar por edhe me politikën për të krijuar lehtësi dhe favore në rrugë të paligjshme. Natyrisht kush i ka në posedim ka se çfarë t’i fshehë shtetit”, u shpreh Karamuço.
Më herët, në nisje të emisionit, Karamuço theksoi se kishte pikasur forca të policisë dhe BKH-së, tek rrugica ku jeton ish-kryeministri Berisha.
“Te rruga ku ka banesën mos gaboj ish-kryeministri Berisha ka një prani shumë të madhe të forcave policore, mjete edhe të BKH-së. Ishte një bllokim rruge brenda në rrugicë. Kishte një prani shumë të madhe. Nuk e di çfarë po ndodh”, tha ai.