Ish-kryebashkiaku i Lezhës akuzohet sërish për tjetërsim pronash

Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj është marrë i pandehur nga prokuroria e Lezhës me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për tjetërsimin e pronësisë së disa sipërfaqeve në zonën Kune-Vain-Tale. Bëhet fjalë për një procedim penal të nisur që prej vitit 2017-të, pas një kallëzimi të shtetasit Ardian Mlika, i cili vuri në lëvizje prokurorinë.

Prokuroria thotë se nga hetimi disavjeçar ka rezultuar se punonjës të administratës së ish-Komunës Shënkoll mes të cileve dhe Fran Frrokaj në atë kohë kryetar i kësaj komune, kanë favorizuar regjistrimin e 82 pasurive të paluajtshme për disa persona, të cilët kanë përfituar në mënyre të paligjshme prona publike përmes përgatitjes së AMTP-ve shtesë dhe të falsifikuara, duke i shitur më pas dhe tek personat e tjerë.

Pronat e dyshuara janë vënë në sekuestro preventive, ndërsa dosja penale është dërguar për gjykim në Gjykaten e Lezhës dhe ndaj ish-kryebashkiakut është ngritur akuza e “Shpërdorimit të Detyres”.

Seanca e parë paraprake për vlerësimin e kërkesës së prokurorisë për kalimin e çështjes për gjykim e caktuar të hënën 11 dhjetor, nuk u zhvillua për shkak të mungesës së paleve, duke detyruar gjyqtarin Elvis Sulejmani që ta shtyjë atë për në muajin janar të vitit të ardhshëm.

Frrokaj është i vetmi i pandehur në këtë çështje, pasi në përfundim të hetimeve prokuroria gjeti se për personat të tjerë përgjegjës vepra penale është parashkruar.

Kjo është çështja e 3 penale në të cilën Frrokaj do të gjykohet për tjetërsim pronash në bregdetin e Lezhës. Në tetor 2022 Gjykata e Apelit në Shkodër gjeti fajtorë dhe dënoi me nga tre vjet burg ish-kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kryetarin e Qarkut Lezhë Gjok Ndoka, të akuzuar për tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Shëngjinit.

Ndërkohë prej prillit 2023 ai po gjykohet në Gjykatën e Posaçme për akuza të ngjashme sëbashku me një grup personash.

/reporter.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com