Duhej të kalonin pesë dekada të tëra për të zbardhur rastin e vrasjes së një çifti që u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në Tenesi, SHBA në vitin 1977, nga një teknik që kishte vizituar shtëpinë për të kontrolluar linjën telefonike.
Sipas Law and Crime, djali i çiftit, i quajtur Michael Keith Fine, u arrestua në Alabama mëngjesin e së martës së kaluar dhe pritet të ekstradohet në Tenesi. 80-vjeçari, i cili prej afro 50 vitesh mbeti i pandëshkuar për vrasjen e prindërve të tij, përballet me akuzën e vrasjes me paramendim, ndërsa autoritetet janë në kërkim të një personi tjetër që mund të dijë disa detaje për rastin.
Krimi i tmerrshëm doli në dritë më 20 maj 1977 kur, në orën 9:30 të mëngjesit, policia e Maryville mori një telefonatë nga një operator telefonik i cili kishte gjetur një trup të dekompozuar brenda një makine të parkuar jashtë një shtëpie. Çifti Fine u panë për herë të fundit gjallë dy javë më parë, kur kishin dalë për darkë me miqtë.
Kur oficerët mbërritën në shtëpi, gjetën trupin e dekompozuar të 54-vjeçares Helen Fine brenda makinës së familjes. Burri i saj 67-vjeçar u gjet më vonë i vdekur brenda shtëpisë. Të dy trupat kishin plagë të shumta plumbash.
Edhe pse autoritetet mblodhën shumë prova, të cilat iu dërguan FBI -së për analiza eksperte dhe folën me shumë dëshmitarë, vrasja e dyfishtë mbeti e pazbardhur për shumë dekada. Në vitin 2021 çështja u rihap, pas interesimit të një prej të afërmve të viktimave. Përmes teknologjisë moderne, hetuesit për herë të parë e lidhën Michael Fine me armën e përdorur për të vrarë prindërit e tij, e cila u gjet në një depo pothuajse një vit pas krimit, dhe me gjetjet e tjera të mbledhura nga Marking në 1977.
“Është diçka që shpesh ndodh me raste që mbeten të pazgjidhura për një kohë të gjatë: Akte të tilla të tmerrshme nuk harrohen kurrë, as nga anëtarët e familjes dhe as nga hetuesit që punojnë shumë për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë”, tha shefi i policisë së Maryville, Tony Crisp./Liberale.al