Hapi derën dhe e goditi Lilin me thikë në zemër, avokati i italianit: E gjeta të befasuar! Nuk kuptonte çfarë kishte ndodhur

“Nuk ishte mirë, nuk e kuptonte çfarë kishte ndodhur dhe mohonte që të ishte zënë ndonjëherë më parë me viktimën”. Kështu u shpreh avokati mbrojtës i Riccardo Stefanit, 41-vjeçarit italian i cili mbrëmjen e së premtes i mori jetën shqiptarit Ilirjan Minaj. Ngjarja e rëndë ndodhi në pallatin ku jetonte autori i dyshuar, në Bibbiano të Reggio Emilias. 61-vjeçari shqiptar, i cili në Itali jetonte prej 20 vitesh, kishte shkuar për të takuar mbesën, kur nëpër shkallë u has me fqinjin e saj.

Në foto autori Riccardo Stefani dhe viktima Ilirjan Minaj
Në foto autori Riccardo Stefani dhe viktima Ilirjan Minaj

Për avokatin, vetë reagimi për ngjarjen në fjalë është anormale. Ai shpjegon se e gjeti të befasuar nga situata…

Stefani ishte problematik, kishte qenë edhe në të shkuarën në burg dhe konfliktet me njerëzit e tjerë nuk i kishte për herë të parë. Mediat fqinje shkruajnë këtë të hënë se avokati, mbrojtjen e tij pritet që ta ndërtojë pikërisht te fakti se 41-vjeçari ‘vuan nga probleme psikiatrike, të diagnostikuara’. Ai mësohet se ndiqej nga shërbimet sociale dhe ishte i njohur për autoritetet përkatëse për shkak të varësisë nga drogat.

Stefani, i cili jetonte në Piemonte, ishte dërguar në burgun e Modena për të qenë pranë familjares së vetme që kishte, nënës së tij. Në atë kohë ai ndodhej në burg për rezistencë ndaj policisë dhe dhënies së makinës në gjendje të dehur. Me të përfunduar dënimin ai shkoi në Bibbano, tek e ëma.

Që prej asaj kohe, problemet për Stefanin kishin qenë të vazhdueshme.

Të gjithë ata që jetojnë në rrugën Corradini, rreth pallatit ku ndodhi vrasja, e përshkruajnë si një person problematik, i cili zgjidhte fyerjen në vend të dialogut. E duket se kjo nuk ishte hera e parë që kishte pasur tensione me familjen shqiptare, që jetonte dy kate poshtë tij.

Pallati në qendër të Bibbiano-s ku ndodhi vrasja
Pallati në qendër të Bibbiano-s ku ndodhi vrasja

Natën kur ndodhi ngjarja, gjithçka dyshohet se ndodhi për shkak të një batute. Më pas një fyerje në drejtim të 61-vjeçarit shqiptar, duke bërë që ky i fundit ta ndiqte deri te apartamenti italianin, duke goditur edhe derën e tij.

Në këtë pikë, Stefani, i cili kishte vrapuar për t’u futur brenda, doli prej andej me thikë kuzhine, duke e goditur pabesisht dhe duke e lënë të vdekur në vend Minajn.

Këtë të hënë atij do t’i konfirmohet masa e arrestit, ndërsa akuza është ajo e vrasjes së rëndë me dashje.

Në foto viktima Ilirjan Minaj
Në foto Ilirjan Minaj

Ndërkohë pritet që autoritetet të bëjnë publike edhe rezultatet e autopsisë mbi trupin e 61-vjeçarit shqiptar. Ilirjan Minaj, që të gjithë e thërrisnin ‘Lili’, dyshohet se humbi jetën si pasojë e goditjes me thikë në zemër. Ai mori edhe plagë në fytyrë, por me gjasë këto ishin sipërfaqësore.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *