Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë Shqipërisë të ish-Kryeministrit Sali Berisha.
Sipas vendimit të GJKKO, “urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00 para oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika 1 të K.Pr.Penale “ndalimi i daljes jashtë shtetit. Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe i dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për shtetasin nën hetim Sali Berisha”, thuhet në vendimin e GJKKO për masën e sigurisë ndaj ish-Kryeministrit.
Mësohet se Berisha duhet të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore në datat 6 dhe 20 Nëntor.
Ndërkohë, gjykata bën të ditur gjithashtu se dy avokatët e caktuar nga shteti për Sali Berishën, Rabije Cenalia dhe Jalldiz Kastrati janë tërhequr dhe nuk morën përsipër realizimin e mbrojtjes për ish-Kryeministrin. Në këto kushte, GJKKO caktoi një tjetër avokate kryesisht, Valentina Todoreskun, e cila u njoh me aktet e dosjes dhe kërkoi që të revokohet masa e sigurisë.
(Në foto: Valentina Todoresku, avokatja e caktuar nga shteti për Sali Berishën)
Por trupa gjykuese, në dhomën e këshillimit mori vendim që ndaj Sali Berishës të qëndrojë në fuqi e njëjta masë sigurie, ajo e detyrimit të paraqitjes dhe mosdalje nga vendi.
Ndërkohë, ish-Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot përmes një kërkese përjashtimin e gjyqtares së kësaj çështje, Irena Gjoka, por GJKKO e hodhi poshtë kërkesë me argumentimin si “të pabazuar në prova dhe në ligj”.
Ish-Kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me procedurat e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, çështje për të cilën akuzohet edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi i cili është me masë sigurie arrest në burg, si dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi me masë sigurie detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë Shqipërisë.
Kufizimin e lirisë, Sali Berisha e konsideron antikushtetuese, pasi sipas tij SPAK duhet të kishte marrë më parë autorizim nga Parlamenti për t’i kufizuar lirinë një deputeti.