Gjeti trupin e pajetë të 9-vjeçares në lumin Buna, peshkatari: U shokova, ishte rreth 1 metër ujë

Ka qenë një peshkatar ai që ka konstatuar trupin e vajzës 9-vjeçare që u mbyt në lumin Buna. Në një prononcim për mediat, ai ka treguar momentin e parë kur ka parë trupin e pajetë të së miturës. Gjatë fjalës së tij, ai thotë se kur ka konstatuar se ishte një fëmijë i mbytur, është shokuar dhe menjëherë ka thirrur policinë. Ai shprehet se ka qenë duke gjuajtur peshk natën teksa shton se thellësia e ujit në të cilën u gjet trupi i pajetë i 9-vjeçares ishte vetëm 1 metër e pak ujë.

“Kam qenë duke gjuatur peshk dhe duke u ngjitur tek një vijë atje më poshtë, ishte edhe terr, m’u desh me ndezë dritën e telefonit për të parë se mos ndeshte helika. Më bëri të dyshoja atje në fund, ishte punë 1 metër, 1 metër e pak ujë. M’u duk a është kuklull a njeri. Për momentin u shokova sepse më shkoi mendja për njeri. Mora policinë në telefon, erdhën menjëherë. Kam shkuar tek vendi atje poshtë. Pasi e çuan përpjetë, u konstatua se ishte njeri. U shokova. Më vjen keq sepse kemi fëmijë vetë. Rast i rëndë. Unë kam ardhur në ndihmë dhe do të vij në ndihmë. Njerëz jemi dhe ne. E vështirë është për gjetur trupat, terreni nuk është në favor. Për momentin është e vështirë, por kërkimet vazhdojnë. Policia e Shtetit dhe ajo Kufitare është e angazhuar.”

Ashtu siç u raportua dhe ditën e djeshme, dhuna psikologjike dhe fizike e ushtruar sistematikisht ndaj 39-vjeçares, Alma Arrazi dhe 3 fëmijëve të saj të mitur, dyshohet se shtyu këta fundit të vetëmbyten duke u hedhur në ujërat e lumit Buna. Ishte një peshkatar i zonës që pikasi në ujërat e lumit trupin e pajetë të vajzës së madhe të famijes mbrëmjen së shtunës.

E mitura vetëm 9 vjeç nuk kishte shenja dhune në trup, por pavarësisht kësaj ka dyshime se së bashku me të ëmën, motrën dhe vëllain e saj janë dhunuar nga i ati i tyre, Ergys Arrazi, çka i ka shtyrë ata drejt aktit fatal. Ky i fundit tashmë është arrestuar nga policia, e cila informon se 31-vjeçari rezulton person i dënuar më parë për kultivim kanabisi dhe i proceduar për dhunë në familje.

Nga verifikimet e kryera, Alma Arrazi me 3 fëmijët e saj, para se të ndërmerrnin aktin e vetëvrasjes ka takuar kunatën e saj, bashkëshorten e vëllait të Ergys Arrazit, të cilës nuk i ka shprehur asnjë shqetësim apo dhënë indicie se do kryente këtë akt.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *