Në Itali, Kombëtarja kuqezi nuk konsiderohet një kundërshtar sa për të kaluar radhën. Mbi gjysma e kuqezinjve luajnë në Seria A.
Igli Tare është një personazh gjithmonë interesant në të dy anët e Adriatikut dhe ish-futbollisti i njohur shqiptar, më vonë edhe drejtues i suksesshëm tek Lacio, është në mënyrë periodike mysafir i mediave italiane. Më së fundmi ai ka dhënë një intervistë të gjatë për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, ku ka prekur shumë tema dhe ndër të tjera, edhe shortin e Euro 2024-ës, ku Italia do të përballet me Shqipërinë, Kroacinë dhe Spanjën. I pyetur se me cilën skuadër do të jetë më 15 qershor, kur në Dortmund Shqipëria do të përballet me Italinë, Tare është përgjigjur: “Treçerek me Shqipërinë, një çerek me Italinë”, – është përgjigjur në mënyrë lakonike 50-vjeçari.
“Pasi lidhja që kemi ne shqiptarët me vendin tuaj është shumë e fortë, – ka vijuar të shpjegojë shqiptare, duke theksuar: “Do ta shihni, atë ditë do të jenë 80 mijë persona që do të këndojnë “Himnin e Mamelit”, edhe shqiptarët. Ka ndodhur në Gjenovë 9 vite më parë. Me Italinë na lidh një raport që është i vështirë për t’u shpjeguar, aq i thellë dhe i rrënjosur është.” Megjithatë, ish-futbollisti i njohur i ka paralajmërur italianët për përballjen me Shqipërinë.
“Por, pastaj kujdes, kjo Kombëtare e jona po rritet shumë dhe për Italinë nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Por Spaleti është i aftë, e di mirë. Nuk do të befasohet. Ai nuk bën gabim mendjemadhësie”, – ka thënë Tare, duke vlerësuar trajnerin e Italisë, të cilin e njeh mirë. Në këtë intervistë, Tare foli edhe rreth situatës së tij aktuale, largimit nga Lacio, një oferte nga Napoli, ndërsa theksoi se nuk ishte çuditur nga ajo që po bënte trajneri Simone Inzagi në drejtimin e Interit.